Rezolutë dhe kontrarezolutë në Kuvend! Migrantët ndezin debatet mes pushtetit dhe opozitës

TË FUNDIT

Migrantët edhe sot janë temë në akuzat dhe kudnërakuzat e opozitës dhe pushtetit. Këtë herë me rezolutë dhe kontrarezolutë. Derisa opozita akuzon për një marrëveshje për migrantët me Mbretërinë e Bashkuar, VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM kanë dorëzuar rezolutën e tyre me 9 pika, duke dënuar siç thonë manipulimet e opozitës dhe duke konfirmuar politikat kundër migracionit të paligjshëm.

 “Dënohet kampanja e rreme dhe veprimet manipulative të partive opozitare, të cilat shpërndajnë gënjeshtra dhe insinuata për marrëveshje të supozuar, politika apo aktivitete lidhur me pranimin e migrantëve ose ndërtimin e kampeve për migrantë. Nën këtë rezolutë konfirmohet se nuk është kërkuar, nuk është negociuar dhe nuk do të lejohet krijimi i kampeve, qendrave pritëse apo formave të përhershme të vendbanimit për migrantët”, tha Nikolla Micevski – deputet i VMRO-DPMNE.

Me këtë rezolutë konfirmojmë se Qeveria dhe Kuvendi kurrë nuk do të lejojnë negociata për migrantët. Qytetarët të jenë të qetë, VMRO-DPMNE kujdeset për sigurinë e popullit,” tha Micevski. Dokumenti pritet të shqyrtohet nesër në rendin e ditës.

Opozita, nga ana tjetër, akuzon edhe sot se gjatë gjithë javës pushteti ka shmangur nënshkrimin e rezolutës që e cila në mënyrë eksplicite thotë se nuk do të lejohet sjellja e migrantëve. Me kontrarezolutën, DPMNE-ZNAM konfirmoi atë që LSDM thotë prej ditësh: ekziston një marrëveshje “migrantë për para”, thonë nga partia.

 “Me marrëveshjen ‘migrantë për para’, DPMNE e dorëzoi Maqedoninë, e shiti për para, për kredi të shtrenjta mbi supet e popullit. Gjatë gjithë javës shmangën përgjigjen ndaj thirrjeve tona, shmangën nënshkrimin e rezolutës që në mënyrë eksplicite thotë se nuk do të lejojmë të sjellën migrantë. Në vend që të bashkoheshin me ne, ata dorëzuan kontrarezolutë. Kontraproteste, kontrarezolutë, lajme të rreme, kërcënime me kallëzime penale, njësoj si në kohën e Nikola Gruevskit”, u shpreh Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM.

Kjo temë u bë aktuale pas raportimeve në mediat britanike. Kryeministri Mickovski gjatë ditëve të fundit i ka mohuar raportimet dhe ka bërë thirrje që institucionet të nisin procedura kundër opozitës LSDM për shpërndarje frike dhe paniku tek populli me deklaratat se ekziston marrëveshje për pranimin e migrantëve nga Mbretëria e Bashkuar. Deri tani, Prokuroria nuk ka marrë asnjë kallëzim nga organet kompetente.