Të shtunën në mbrëmje BDI mblodhi të gjitha strukturat e partisë në Gostivar. Në këtë mbledhje, u miratuan tre rezoluta. Rezoluta e parë ka të bëjë mbi legjitimitetin politik të shqiptarëve. Rezoluta e dytë ka të bëjë me domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë bashkë me ndryshimet kushtetuese dhe e treta rezolutë mbi vet subjektin politik.
Kur jemi te e para, nga BDI druajnë se mos respektimi i legjitimitetit të shqiptarëve, do të zbehë deri në zhbërje nevojën e organizimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe se do të nëpërkëmben të drejtat e shqiptarëve në shtet.
Analisti politik Albert Musliu, për TV21 shprehet se për të mos diskutuar në të ardhmen për çështjen e legjitimitetit, në të ardhmen e njejta duhet të rregullohet me ligj. Shton se vet partitë politike duhet të dalin me numra se cila sa vota ka mbledhur në vendbanimet shqiptare.
“Legjitimiteti është i lidhur me nevojën e organizimit politik. Tani unë nuk dua të bëhem arbitër por flasim me faktet e numrave. Numrat janë ata. Tash partitë politike në asnjë moment as opozita e as pozita, nuk e panë të rendit që të na e sqarojnë si qytetarë se ku janë mbledhur votat. Ne realitetin në Maqedoni e dimë. E dimë ku jetojnë shqiptarë, ku jetojnë të përzier, ku nuk jetojnë shqiptarë, ku i kanë mbledhur votat e kështu me radhë”, tha Albert Musliu.
Musliu shton se nëse VMRO-DPMNE dhe Mickoski sillet në mënyrë korrekte me partnerin qeveritarë, atëherë fuqia e argumenteve të Frontit Europian do të jetë më e ulët.
Nga ana tjetër politikologu Xhenur Iseni, mbledhjen e BDI-së e sheh vetëm si mënyrë për të mbajtur më kompakte anëtarësinë e saj. Rezoluta e BDI-së nuk vlenë aspak përshkak se nuk është institucion shtetëror që të jetë e plotfuqishme, thotë ai.
“Kjo rezolutë të cilën ju thoni që është miratuar, është vetëm sa për propagandë të vet partisë sepse ne e dimë se BDI nuk është institucion shtetëror. Nëse duhet të miratohet ajo rezolutë ajo duhet të miratohet në ndonjë institucion shteti që të jetë efektive dhe e plotfuqishme. Këtu nuk besoj se kemi zhbërje të organizimit politik të shqiptarëve sepse BDI siç e dimë ka pasur edhe parti të minoriteteve tjera dhe përballja e tyre me VLEN-in ka qenë aty aty”, u shpreh Xhenur Iseni.
Të këtij mendimi ishin edhe krerët e VLEN-it. Të pyetur për mbledhjen e BDI-së, Taravari, Mexhiti e Kasami thanë se e njejta paraqet formë inkurajimi për ta mbajtur anëtarësinë në kondicion pasi e shohin se kanë filluar ta humbin përkrahjen në teren. Legjitimiteti i plotë i përfaqësimit të shqiptarëve i takon VLEN-it, thanë krerët e partive politike të këtij koalicioni.