Revizioni shtetëror ka zbuluar parregullsi në punën e Agjencisë për Punësim gjatë vitit 2024, duke ngritur shqetësime për kontrollet gjatë pagesave dhe menaxhimin e mjeteve publike, përcjell TV21. Sipas raportit të Revizionit, janë evidentuar raste të kontratave të punës me kohë të caktuar të lidhura vetëm për tre ditë, si dhe vazhdime të kontratave përtej kufirit maksimal ligjor prej pesë vitesh, të cilat më pas kanë ndikuar në realizimin e të drejtës për kompensim në rast papunësie.
Revizorët kanë konstatuar gjithashtu se Agjencia ka kryer pagesa për shërbime juridike dhe ekspertiza pa dokumentacion të plotë mbështetës dhe pa kontrolle të mjaftueshme mbi shërbimet e faturuara. Nga gjithsej 5,7 milionë denarë të paguar për shërbime avokatore, ndërmjetësim, ekspertiza dhe taksa gjyqësore, rreth 77,46% e shpenzimeve për avokatë janë realizuar përmes vetëm një avokati. ESHR vlerëson se këto mangësi krijojnë rrezik për përdorim jo të dedikuar të mjeteve publike dhe ka dhënë rekomandime për forcimin e kontrolleve dhe procedurave në Agjencinë për Punësim.
