Revista satirike franceze, “Charli Hebdo” ka ironizuar sërish me penën e saj, pasi seria e radhës mban në kopertinë karikaturën e fëmijës sirianë, të mbytur në brigjet e Bodrumit të Turqisë, gjatë përpjekjeve që së bashku me familjen e tij të kalojë me anije Detin Mesdhe, në kërkim të një jete më të mirë në Evropë.
Vetëm pak ditë pasi ishin të shumtë ata që u solidarizuan me pamjen pikëlluese që përcollën fotografitë e trupit të pajetë të Ajlan Kurdit, trupin e të cilit uji e kishte nxjerrë në breg, personeli i redaksisë së “Charli Hebdo” vendosi ta ironizojë vdekjen e të miturit. Revista ka realizuar dy karikatura lidhur me të. E para kishte në qendër fëmijën e kthyer përmbys me mbishkrimin “Sa afër qëllimit të tij. Merr dy fëmijë, paguaj një!”.
Ndërsa karikatura tjetër shfaqte vizatimin e Krishtit ngjitur me trupin e fëmijës së mbytur, shoqëruar me komentin: “Dëshmia se Evropa është e krishterë. Të krishterët ecin mbi ujë, ndërsa fëmijët myslimanë mbyten”.
Karikaturat kanë ngjallur debate të shumta në rrjetet sociale, shumë prej të cilave kanë kritikuar “Charli Hebdon” për faktin se përdori vdekjen e Alanit me qëllime fyese. Por, ka pasur edhe nga ata, që mendojnë se revista satirike ka ironizuar Perëndimin për qëndrimin ndaj krizës së refugjatëve.
Vizatimet mbajnë firmën e Loren Ris, i cili u shpëtoi plumbave të sulmit terrorist, që iu bë redaksisë së “Charli Hebdo” tetë muaj më parë, të ndërmarrë nga pjesëtarët e Shtetit Islamik, me ç’rast u vranë 12 persona./21Media

