Reshjet e 24 orëve të fundit ishin shqetësim i madh për banorët e rajonit të Tetovës, të cilët druanin për mundësinë e përsëritjes së 3 gushtit, kur ndodhën përmbytjet masive.
Prej reshjeve të mëdha dhe kanalizimit të bllokuar, mbrëmë ndodhën vërshime në Reçicë të Vogël. Rruga kryesore ishte zënë nga gurët dhe dheu, të cilat i solli rrebeshi i shiut që ra 2 ditë pa ndalur. Gjithashtu, në fshatin Brodec, si pasojë e vërshimeve nga reshjet intensive, mbrëmë u bllokua rruga kryesore e fshatit. Banorët frikësohen se reshjet në ditët e ardhshme mund të shkaktojnë përmbytje ende më të mëdha.
Kryetarja e Komunës së Tetovës tha se që mbrëmë kanë dërguar ekipet dhe se ende po punohet në hapjen e rrugëve. Sipas kryetares Arifi, Qeveria nuk po merr parasysh kërkesat e komunës për rregullimin e shtretërve të lumenjve.“Gjatë tërë natës, ekipet tona kanë qenë në teren për të mbajtur rrjedhën e ujit, me qëllim që të mos dëmtohen shtëpitë. Me forcat që kemi, maksimalisht vazhdojmë të insistojmë që të realizohet Plani i aksionit dhe kërkesat që kemi bërë deri tek Qeveria për të rregulluar shtretërit e lumenjve. Bëhet fjalë për Reçicën e Madhe, Reçicën e Vogël dhe Shipkovicën, që të zvogëlohen rreziqet e ndryshme të kësaj natyre”, deklaroi Arifi.
Sipas meteorologëve, reshjet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim. Të gjithë këto fshatra kanë frikë përsëritjen e vërshimeve të gushtit, ku humbën jetën disa persona.
Besian Leka
