Reprezentacioni e Maqedonisë së Veriut në hendboll ka siguruar pjesëmarrje në Kampionatin Botëror që fillon nesër në Egjipt, pasi Çekia sonte zyrtarisht kumtoi se e anulon performancën për shkak të pranisë së koronavirusit në radhët e saj.
Vendimin për pjesëmarrjen e përfaqësueses së hendbollit në finalen në Egjipt, si zëvendësim për Republikën Çeke, zyrtarisht e konfirmoi edhe Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF).
“Si pasojë e disa rezultateve pozitive pas testimit të detyrueshëm për Kovid-19 para nisjes për në Egjipt, ekipi i përfaqësueses çeke në hendboll e anuloi zyrtarisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror të 27-të, i cili do të mbahet nga 13 deri më 31 janar në Egjipt. Në përputhje me protokollin dhe rregulloret Kovid-19, rezerva e parë – Maqedonia e Veriut – mori ftesë për pjesëmarrje”, tha IHF.
Mediat çeke sot pasdite e transmetuan deklaratën e trajnerit Jan Filip se pjesëmarrja e Republikës Çeke në Kampionatin Botëror në hendboll zyrtarisht është anuluar.
“Sot arritëm në përfundimin se nuk shohim më dritë në fund të tunelit”, deklaroi Filip, i cituar nga gazeta “Idnes”.
Vendimi i Federatës Çeke të Hendbollit për ta anuluar pjesëmarrjen në kampionat vjen pasi gjithsej 17 hendbollistë janë të infektuar me koronavirus.
Anëtarët e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në hendboll në ndërkohë u testuan për koronavirus në Shkup dhe të gjitha rezultatet janë negative.
Reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut do të luajë në Grupin G së bashku me nikoqirin Egjiptin, Suedinë dhe Kilin. Duelin e parë do ta ketë të enjten kundër Suedisë me fillim prej orës 20:30.
