Rënie në shitblerjen e duhanit dhe eksporteve

TË FUNDIT

Gjatë këtij viti ka pasur uljë të sasisë së kontratave të shitbljeres  së duhanit, ndërsa në anën tjetër ka pasur rritje të cilësisë. Kjo u theksua sot nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Vasko Ristovski nga Oda Ekonomike theksoi se prodhimi stabil dhe cilësor është në interes të prodhuesve dhe kompanive blerëse të duhanit.

Sipas tij, për rekoltën që pason janë lidhur mbi 28 mijë marrëveshje për shitblerje, që është 20 për qind më pak se vitin e kaluar, kur ka pasur rreth 34 mijë marrëveshje.

“Zvogëlimi i hapësirave të prodhimit është i dukshëm, por pritet cilësi e mirë, por edhe çmim i mirë. Synimi final i prodhuesve, por edhe i blerësve, është prodhimi i duhanit cilësor, në të kundërtën do të humbnin të dyja palët”, thotë Vasko Ristovski.

Sipas tij, për herë të parë po ndodhë që të zvogëlohet numri i kontratave të shitblerjes nga ana e blerësve. Kjo siç tha ai po ndodhë për shkak të uljes së kërkesës për llojet orientale të duhanit.

Ndërkaq, sa i përket duhanit dhe prodhimeve të tij kemi zvogëlim të eksportit për 14 për qind dhe të importit për 30 për qind. Por, në anën tjetër ka rritje të importit të cigareve nga 266 ton që ishte në vitin 2004, në  1800 ton gjatë vitit 2014. Ndryshime ka edhe në çmimin e duhanit, ku një kilogram duhan në vitin 1998 ka qenë 6,6 dollarë, ndërsa tani është rritur në rreth 13 dollarë.

Sipas Odës Ekonomike të Maqedonisë, rezultatet e realizuara financiare nga eksportet ka qenë mbi 146 milionë dollarë, që paraqet ulje prej 35 për qind në krahasim me vitin 2013.

Çmimi i shitblerjes së duhanit gjatë vitit 2013 ka qenë 152 denarë për kilogram, derisa gjatë pesë  viteve të fundit ka qenë më i lartë.