India në 24 orët e fundit ka njoftuar për 314.835 raste të reja me COVID-19, shifër kjo më e lartë brenda një dite që shënohet në ndonjë vend – kanë njoftuar autoritetet e shëndetësisë. Paraprakisht rekordin e kishte pasur SHBA-ja në Janar të këtij viti me 297.430 raste.
Për të shtatën ditë me radhë, India tejkalon kufirin prej 200.000 infektimeve të reja dhe situata po bëhet gjithnjë e më dramatike. Spitalet në Indinë veriore dhe perëndimore, duke llogaritur edhe kryqendrën Nju Delhi, kanë dhënë paralajmërime se kanë vetëm disa orë rezerva të oksigjenit mjekësor që shfrytëzohet për mjekimin e pacientëve të prekur nga COVID-19. Sipas bazës online të Qeverisë në Nju Delhi, në më shumë se 2/3 e spitaleve nuk ka shtretër të lirë. Mjketë u kanë rekoamnduar pacientëve që të qëndrojnë nëpër shtëpi.
Deri tani në Indi, vendin me mbi 1.3 miliradë banorë, janë regjistruar 15.9 milionë raste të infektimeve, derisa në 24 orët e fundit jetën e kanë humbur 2.104 persona, kurse nga fillimi I pandemisë shënohen 184.657 viktima.
India ka filluar procesin e vaksinimit, por deri tani janë injektuar vetëm 130 milionë njerëz apo 10% e popullsisë.
