Regjistrimi i popullsisë nisë me këmbë të mbarë, apel që regjistruesit të mirëpriten “në mënyrë festive”

TË FUNDIT

Herët në mëngjes, regjistruesit po i trokasin në derë.

Zvonko Trajkovski nga lagjja “Gjorçe Petrov” e Shkupit në oborrin e shtëpisë e mirëpriti regjistruesin.

Vetëm 15 minuta u deshën që të regjistrohet. Ai tha se gjithçka shkoi mirë dhe nuk kishte asnjë problem.

 “Më pyetën, ato pyetje që duhej, mirë kaluam nuk kishte asnjë problem”, tha Zvonko Trajkovski.

Sot nga 8 e mëngjesit ka filluar me sukses operacioni statistikor për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe amvisërive në Maqedoninë e Veriut.

Inspektorja Shtetërore Lençe Nedanovska tha se të gjithë regjistruesit janë trajnuar mirë.

 “Mund të them që të gjithë regjistruesit janë trajnuar mirë dhe kanë dalë në teren sot në ora 8 të mëngjesit veç më kemi regjistruar, banesa, shtëpi dhe amvisëri dhe mendoj se me suksese do të kryejmë regjistrimin në këtë rajon”, u shpreh Lençe Nedanovska – inspektore e Entit Shtetëror për Statistikë.

Regjistrimi me sukses nisi edhe në Çair.

Regjistruesi Bekim Berisha thotë se deri në mesditë në rajonin e komunës së Çairt janë regjistruar diku 290 persona.  Ai shton se ky proces nuk ka të bëjë asgjë me politikë dhe apeloi tek qytetarët të hapin derën dhe t’i mirëpresin regjistruesit.

 “Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare si në çdo shtet në botë edhe te ne vetëm për qëllime statistikore nuk ka të bëjë asgjë me politikën ky proces dhe nuk ka të bëjë asgjë me të dhëna individuale çdo e dhënë do të përdoret vetëm për qëllime statistikore”, u shpreh Bekim Berisha – regjistrues.

Drejtori i Entit për Statistika, Apostol Simovski tha se regjistruesit që do të trokasin në derë do të jenë të brenduar, me bluzë të regjistrimit dhe do të ketë bexh.

 “Mbajmë të gjithë bluza të brenduar dhe çdo regjistrues me vete ka legjitimimin që kështu. Këtu shkruan emri i tij mbiemri, ku amvisëritë do t’i kontrolloj me këtë. Të gjithë të tjerët që nuk kanë legjitimim të këtillë qytetarët mund të vlerësojnë se dikush po i provokon”, potencoi Apostoll Simovski – Drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.

Zëvendësdrejtori i Entit për Statistika, Ilmi Selmi, apeloi që të mos u vihet veshi thirrjeve për bojkot sepse ky proces është në të mirë të qytetarëve.

 “Më e mira është të hapni derën të pranoni regjistruesit, madje në mënyrë festive t’i pranoni ata të regjistroheni bashkë me ta t’i jepni të dhënat që do të kërkojnë regjistruesit ky është një proces i cili shkon në interes të të gjithëve”, shtoi zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Ilmi Selami.

Sipas drejtorit shumica e regjistruesve janë të vaksinuar dhe se do të kujdesen për gjitha protokollet kundër përhapjes së virusit. Regjistrimi fillon sot dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Paraprakisht, më 1 mars të këtij viti filloi edhe regjistrimi i diasporës që po ashtu do të zgjasë deri në fund të këtij muaji.