Regjistrimi i popullsisë i cili duhet të mbahet nga 1 deri më 21 prill të vitit të ardhshëm do t’i përfshijë të gjithë ata që jetojnë brenda dhe jashtë shtetit. Në këtë operacion statistikor mes të tjerësh do të ketë edhe një grafë për karakteristikat etnike – kulturologjike dhe religjioze, bën me dije drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski. Sipas propozim-ligjit për regjistrim të popullsisë, i cili u miratua në seancën e djeshme qeveritare, për herë të parë të dhënat do të mblidhen me të ashtuquajturën metodë të kombinuar, gjegjësisht me regjistrim klasik në terren dhe me të dhëna nga regjistrat. Sipas Simovskit, rezultatet e para të regjistrimit priten për 6 muaj, pas zbatimit të tij. I gjithë regjistrimi, i cili realizohet pas 16 viteve, do të kushtojë 8.5 milionë euro.
“Ky do të jetë operacion jashtëzakonisht profesional. Me regjistrimin do të mblidhen të dhëna për karakteristikat gjeografike dhe demografike, ekonomike, arsimore, të migrimit, etnike-kulturologjike, religjioze dhe karakteristikat e dedikuara për personat me nevoja të veçanta. Përveç të dhënave për personat, do të mblidhen të dhëna edhe për amviseritë, familjet, banesat dhe ndërtesat”, tha Apostoll Simovski, Drejtor i Entit Shtetëror për Statistikë.
