Kryetari i Komunës së Karposhit, Stevçe Jakimovski përsëriti sot qëndrimin se gjelbërimi në këtë komunë nuk do të preket. Ai këto komente i bëri sot pas dështimit të propozimit të opozitës në këshillin komunal për të rivendosur në rend dite ndryshimin e Planit të detajuar Urbanistik.
Këshilltarët e opozitës, të udhëhequr nga LSDM, nuk arritën qëllimin për hapjen e debatit publik për të kundërshtuar propozimin e shumicës në këshillin komunal që në hapësirat e gjelbëruara të komunës të ndërtohen parkingje të reja.
“Do të them edhe njëherë, askush nuk duhet të brengoset, Komuna e Karposhit është komunë e cila mendon për gjelbërimin. Paguajmë 100 punëtorë që të mirëmbajnë atë, edhe pse kjo paraqet detyrë të Ndërmarrjes për Parqe dhe Gjelbërim. Kjo komunë ka më tepër lule se çdo komunë tjetër në Maqedoni. As në fund të mendjes nuk e kemi marrjen e gjelbërimit apo prerja e druve me qëllim të ndërtimit të parkingjeve në Karposh 4. Çdo qytetar i Karposhit duhet të jetë plotësisht i qetë”, potencoi Jakimovski.
Mbledhja kaloi me reagimet e këshilltarëve të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, të cilët insistuan që në rend dite të vendosen ndryshimet në Planin Urbanistik të komunës. “Propozoj që, në përputhshmëri me Nenin 12, paragrafin 1 alineja 2 të Statutit të Komunës së Karposhit, të plotësohet rendi i ditës me pikën vijuese: prurja e vendimit të Këshillit të Komunës së Karposhit për përsëritjen e prezantimit publik, të anketës publike për ndryshimet në Planin e Detajuar Urbanistik të Karposh 4”, kërkoi këshilltarja Magdalena Nestorovska nga radhët e LSDM në Karposh.
Banorët e Karposhit organizuan mbledhjen e nënshkrimeve për të nisur një referendum, por kjo nismë nuk u realizua, pasi që nuk u grumbulluan nënshkrimet e nevojshme për organizimin e referendumit për ndalimin e ndryshimeve në Planin Urbanistik të Komunës së Karposhit.
Blerim Ismaili
