Refuzohet kërkesa për lirimin e Tomor Morinës, Raufi shpreson në epilog pozitiv

TË FUNDIT

Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, ka refuzuar kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin nga paraburgimi të Tomor Morinës, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i arrestuar të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Këtë e bëri  ditur për Radion Evropa e Lirë nga avokati Naser Raufi, sipas të cilit, gjykata ka refuzuar vendimin me arsyetimin se “bëhet fjalë për shtetas të huaj, i cili në rast të lirimit mund të arratiset”.Raufi shpreson në epilog pozitiv në procedimin e mëtejmë lidhur me këtë rast. Ai tha se presin nga Beogradi të paraqes përmes Interpolit provat që pretendon se posedon lidhur me kërkesën për ekstradim. “Mendoj se punët qëndrojnë mirë dhe do të kemi sukses. Po punohet shpejt në këtë rast dhe pasi Beogradi të dërgojë dokumenatacionin, unë do t’i shoh së bashku me Tomorin, por unë nuk besoj se do të dërgojnë diçka mbi pretendimet e tyre. Në fund vendos ministri i Drejtësisë, pra qeveria. Mendoj se mirë janë punët”, ka deklaruar avokati Naser Raufi.