Prodhimtaria më e madhe e ushqimit vendor, më pak import dhe shpërndarje e barabartë parashihet me buxhetin për bujqësi për vitin 2023. Ministri i bujqësisë Lupço Nikollovski thotë se me reformat për shpërndarjen e subvencioneve do të vendoset një mënyrë e re që subvencionet t’u jepen atyre që prodhojnë e jo siç ishte deri më tani kur bujqit merrnin subvencione vetëm në bazë të asaj që posedojnë arë. Në të ardhmen do të duhet të dëshmojnë se kanë produkte të tyre , dhe krahas pagesës së parakohshme prej 30%, do t’u paguhet edhe pjesa tjetër. Në lidhje me reagimet se bujqve u shkurtohen subvencionet, ai tha se kjo nuk është e saktë dhe se për vitin e ardhshëm subvencionet do të jenë më të larta deri më tani. Mënyra e re e shpërndarjes zbatohet edhe në shoqatat e bujqve, shtoi ai.
“Nuk shkurtohen subvencionet por përkundrazi, kemi buxhet më të lartë deri më tani për subvencione. Ja, ta marrim blegtorinë si shembull, andaj po themi sot për lopët që japin më shumë qumësht, subvencionet u rritën për 30%, për dhentë u rritën 100%. Disa individë që janë prekur nga kjo masë, janë ata që kanë marrë subvencione ndërsa nuk kanë prodhuar asgjë duke bërë manipulime, këta nuk e bëjnë bujqit që prodhojnë ushqim dhe që kanë punuar me zell në sferën e bujqësisë maqedonase”, tha Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se me reformat e këtilla paratë do t’i marrin ata të cilëve u duhen më së shumti. Tha se për vitin e ardhshëm, resori i bujqësisë ka buxhet më të madh deri më tani, që njëkohësisht është edhe buxhet zhvillimor.
“Bujqit do të kenë pagesë të parakohshme të subvencioneve, do t’i marrin paratë atëherë kur u duhen më së shumti që të mund me kohë të përgatiten për sezonin e re të prodhimit, të investojnë në modernizimin dhe rritjen e prodhimit. Në atë kontekst, përkrahje shtesë marrin bujqit që do të prodhojnë produkte strategjike me shfrytëzimin e farave të sertifikuara dhe produktin do t’ua dërgojnë kapaciteteve të regjistruara ose ndërmarrjeve bujqësore. Përkrahje shtesë parashihet edhe për bujqit që prodhojnë produkte të gatshme për shitje”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Nga opozitarja VMRO-DPMNE kritikojnë se me këtë buxhet nuk motivohet prodhimi dhe nuk zgjidhen problemet e bujqve.
“Në buxhetin për 2023 nuk parashihen as mjete, as strategji për zgjidhjen e problemit me plasmanin e produkteve bujqësore. Nuk ka para për pagesë të subvencioneve të papaguara, nuk ka para për investime në bujqësi, nuk ka para për investime në ekonominë e ujërave, as për pagesë të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore të viteve të kaluara”, tha Cvetan Tripunovski, VMRO-DPMNE.
Buxheti për bujqësinë për vitin 2023 është 193 milionë euro që është 45 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Vetëm 114 milionë euro janë paraparë për pagesë të subvencioneve dhe zbatimin e reformave në bujqësi.
