Po përgatitet program të ri mësimor duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor. Është paraparë shkrirja i disa lëndëve në një lëndë. Biologjia, fizika e kimia të vendosen në një lëndë, ndërsa ndryshime pritet të ketë edhe me historinë dhe gjeografinë. Profesori i Historisë, Naser Miftari, në një deklaratë për Tv21 është skeptik se ky koncept do të kalojë lehtë.
“Është pak vështirë të themi paraprakisht se sa mund t’ia del por kjo do të varet nga përmbajtja e njësive apo temave të moduleve mësimore se çfarë peshe do të kenë krahasuar me nxënësit e gjeneratës që i përkasin. Mund të kalojë por më tepër jam që më tepër do të hasë në vështirësi për shkak se nuk është filluar si pilot projekt, paraprakisht sikur të testohej në disa shkolla dhe çfarë rezultate do të jepte.”- deklaroi Naser Miftari, profesor i historisë.
Reaguan nga partia Alternativa. Nga atje thonë se ky është ky është një koncept i dëmshëm dhe i padobishëm për shtetin dhe shoqërinë tonë.
“Pas informacionit se tashmë është në realizim e sipër modeli i ri i arsimit, sipas të cilit do të hiqet lënda e Historisë, Gjeografisë dhe Etika e religjioneve, ndërsa do të ketë edhe fuzionim të disa lëndëve të tjera, AlternAtivA gjykon se ky është një koncept i dëmshëm dhe i padobishëm për shtetin dhe shoqërinë tonë. Heqja e lëndës së Historisë e grushton keq kujtesën kolektive institucionale arsimore për nxënësit, por edhe mungesa e Gjeografisë jo më pak do ta dëmtojë formimin e tyre si intelektualë të ardhshëm.”- thonë nga Alternativa.
Nga Alternativa kritikuan edhe mundësin e heqjes së lëndës së Etikës së religjioneve dhe vendosjen e lëndës së edukimit seksual në program, por një gjë të tillë e mohoi ministri i arsimit Jeton Shaqiri.
“Lënda Etika dhe religjione mbetet si lëndë zgjedhore në konceptin e zhvillimit të sistemit të arsimit fillor edhe në vitin 2023/2024. I bashkangjitem idesë së nxënësve dhe prindërve të cilët janë të mendimit se kjo lëndë është shumë e përshtatshme për këtë periudhë të jetës së fëmijëve kur ata ndërtojnë personalitetin e tyre për tu formësuar në njerëz që do të bartin përgjegjësi familjare dhe shoqërore”- pohoi Jeton Shaqiri – Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Qëllimi i ministrisë është që nxënësit t’i ofrohet një fotografi e qartë për temën apo ngjarjen, ndërsa sipas tyre, kjo arrihet përmes qasjes së integruar dhe interdisiplinare. Përndryshe Maqedonia e Veriut ka sukses më të ulët nga mesatarja rajonale e sistemeve arsimore në rajon sa i përket leximit, matematikës dhe shkencës. Gjithashtu jemi mbrapa nga shumica e shteteve të BE-së dhe atyre të OECD-së. Nga Ministria e Arsimit shprehen se këtë shembull e ndjekin shtetet evropiane sikurse Sllovenia, Estonia e Finlanda.