Në një ceremoni virtuale, Kosova dhe Izraeli dje arritën marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, marrëveshje kjo e cila përfshin edhe zbulimin e një pllake në vendin e ardhshëm të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabi Ashkenazi, gjatë ceremonisë, theksoi se ai ka aprovuar një kërkesë për të hapur Ambasadën e Kosovës, por disa raporte sugjerojnë se mund të jetë operacionale nga muaji mars.,
Vendimin për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem atëkohë e kritikoi Turqia, Lidhja Arabe si dhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së për punë të Jashtme, Peter Stano, sërish kritikoi Prishtinën duke ia rikujtuar se të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së në Izrael janë në Tel Aviv.
“Pozicioni i BE-së për lëvizjen e ambasadave në Jeruzalem është i qartë: Në përputhje me rezolutën 478 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u bëri thirrje të gjithë anëtarëve të KB për të zhvendosur ambasadat e tyre në Tel Aviv, të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së, si dhe delegacionin e BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, tha Peter Stano.
Stano shtoi se BE-ja pret që Kosova të veprojë në përputhje me rrethanat ose të rrezikojë minimin e perspektivës së saj Evropiane.
Më tej zëdhënësi i BE-së për punë të Jashtme Peter Stano shtoi se Kosova e ka identifikuar integrimin në Bashkimin Evropian, duke shtuar se pret që Kosova të veprojë në përputhje me këtë angazhim që perspektiva e saj Evropiane të mos minohet.
Kujtojmë që vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve janë si rezultat i marrëveshjeve të arritura në Uashington në shtator të vitit të kaluar mes Kosovës, Serbisë dhe administratës së atëhershme të ish-presidentit Donald Trump.
