Pas presionit që shumë aktivistë dhe organizata jo-qeveritare, përfshirë këtu edhe Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), i bënë Universitetit të Prishtinës vitin e kaluar, libri “Kriminalistika” i cili përdorej në Fakultetin Juridik u hoq tërësisht nga përdorimi.
Sidoqoftë, kjo nuk zgjati shumë pasi që këtë javë, RrGGK u informua nga studentë të Fakultetit Juridik që ky libër është ribotuar dhe është kthyer në përdorim me paragrafin e njejtë denigrues mbi viktimat e dhunës seksuale.
Si rrjedhojë, teksti në fjalë ende u referohet viktimave të dhunës seksuale me fjalorin më ofendues dhe jo-akademik të mundshëm, duke deklaruar që:
“Viktima të marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdalura, rrethana të të cilat sjellin me vete edhe një situate viktimogjene (sulmin ndaj tyre)”.
Si rezultat i ribotimit të këtij libri, gjenerata të reja të prokurorëve, avokatëve, dhe gjykatësve, shumë prej të cilëve do të punojnë me raste të dhunës në familje, dhunës në baza gjinore, dhe dhunës seksuale, vazhdojnë të edukohen nga një libër që fajin për akte dhunimi e sheh mbi viktimën.
Kjo jo vetëm që është absurde, por është e patolerueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut. RrGGK, shumë e shqetësuar për ribotimin e këtij libri, i bënë sërish thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, dhe veçanërisht këshillit botues, që ky tekst të hiqet nga përdorimi sa më shpejtë, ose RrGGK, organizata dhe aktivistë të tjerë do të ndërmarrin masa të mëtutjeshme.
Lidhur me këtë temë, tashmë është hapur edhe një webfaqe online me emër “ E Përdalur” që ka arritur të marr shumë pëlqime nga aktivistë të ndryshëm, që e kundërshtojnë ribotimin e librit.
Për më shumë kjo faqe ka shkruajtur se është vetëm një mjet që do t’u mundësojë të dokumentojë problemin e tekstit universitar “Kriminalistika”, i cili përshkruan viktimat e përdhunimit si “të përdalura”, ndër tjerash.
