Reagime të shumta nga ekspertët: Akuzohen njerëz që nuk kanë lidhje me shkaktimin e zjarrit, aktakuza “telashe” për gjyqësorin

TË FUNDIT

Pasi Gjykata Penale pranoi në tërësi aktakuzën për zjarrin në disko-klubin “Pulse”, dhe përmes sistemit AKMIS lënda iu caktua gjyqtares Diana Gruevska-Ilievska, lind pyetja sa do të zgjasë ky proces gjyqësor!? Ekspertët e fushës dhe opinioni janë skeptikë. Duke pasur parasysh numrin e madh të personave të dëmtuar që duhet të dëshmojnë në proces, si dhe aktakuzën voluminoze të shkruar në qindra faqe, askush nuk mund të thotë se kur do të përfundojë. Megjithatë, të gjithë pajtohen se procedura deri në shpalljen e vendimit do të zgjasë me vite.


“Kjo procedurë do të zgjasë. Do të zgjasë për një kohë të gjatë – po e them nga përvoja, sepse një pjesë e mirë e rasteve ku ka pasur shumë të akuzuar, madje edhe kur nuk ka pasur aq shumë, por provat kanë qenë të shumta, kanë zgjatur me vite”, tha Zvonko Davidoviq, avokat.

Sipas ekspertëve, problemi kryesor qëndron te vetë aktakuza. Të 37 personat janë akuzuar për të njëjtën vepër penale – “Shkaktim rreziku të përgjithshëm”. Sipas tyre, Prokuroria do të ketë vështirësi ta dëshmojë këtë për disa prej të akuzuarve, pra për fajësinë e tyre në lidhje me zjarrin.

“Nuk mund t’i akuzoni disa persona që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pajisjet kundërzjarr apo me vetë shkaktimin e zjarrit, por kanë lidhje me mungesë mbikëqyrjeje apo me masa dhe veprime që duhej të merreshin për të mos lejuar funksionimin e disko-klubit në atë mënyrë. Ata mund të akuzohen për neglizhencë në punë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, tregti me ndikim apo ryshfet – nëse ka prova për diçka të tillë – por jo për të njëjtën vepër penale si të tjerët”, vlerëson më tej Davidoviq.

Me këtë pajtohet edhe kolegu i Davidoviqit, avokati Elenko Milanov.

“Në këtë aktakuzë, problemi kryesor është pikërisht ai. Sepse në këtë rast duhet përcaktuar lidhja shkak-pasojë – cila ishte arsyeja që çoi deri te ngjarja konkrete, zjarrvënia në disko-klubin Pulse – dhe veprimet e personave që kanë qenë të përfshirë në institucione të ndryshme gjatë periudhës 2012 deri diku në vitin 2025. Shkaktimi i vetë zjarrit mund të jetë rezultat i veprimeve apo mosveprimeve të personave që kanë qenë të pranishëm atë ditë në vendngjarje”, thotë Milanov.

Avokatja Suzana Joshevska Anastasovska, e cila përfaqëson një nga të akuzuarit në këtë rast, shkroi në rrjetet sociale:

“Ju keni vendosur të shpikni terma si “gabime zinxhirore”, “gabime të njëpasnjëshme zinxhirore” apo “zinxhir gabimesh të vazhdueshme” për t’i bërë qejfin pushtetit, në vend që të dalloni se çfarë është krim i lidhur me zjarrin, çfarë është keqpërdorim apo neglizhencë e shërbimeve me prova konkrete, dhe çfarë është mangësi sistemike për të cilën nuk ekziston përgjegjësi penale individuale, por vetëm morale dhe politike”, konsideron avokatja Anastasovska.


Ndryshe, në këtë rast janë 37 persona të akuzuar dhe 33 mbrojtës. Më 25 qershor, Gjykata e Lartë vendosi që rasti të transferohet nga Koçani në Shkup.
Në zjarrin në disko-klubin Pulse, më 16 mars, humbën jetën 62 persona, ndërsa 200 te tjerë u plagosën.