Kryesia partisë në pushtet LSDM mbrëmë vendosi që të mos ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ndërkaq partitë opozitare këmbëngulin që të ketë zgjedhje. Një gjë të tillë e dëshiron edhe VMRO-DPMNE-ja nga ku thonë se frika nga humbja bëri që LSDM-ja ta sjellë një vendim të tillë.
“Ata janë të vetëdijshëm se kurdo që të ketë zgjedhje, nëse do të jenë zgjedhje të parakohshme ose të rregullta, ata do të humbin në ato zgjedhje dhe do të ikin nga pushteti, kështu duket qartë se frika atje është e madhe”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
“Aleanca për Shqiptarët” vlerëson se pushteti aktual ka dështuar në shumë plane, përfshirë reforma në gjyqësor dhe administratë dhe shumë premtime të tjera me të cilat fitoi zgjedhjet në 2016-tën. Nënkryetarja Bujare Abazi thotë se një palë zgjedhje të parakohshme do të ishin në favor të vendit.
“Deri sa një qeveri nuk plotëson premtimet, i shtyn të gjitha reformat dhe gjen arsyetim për këtë atëherë mendoj se ajo nuk mund t’ia del me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Prandaj duhet të ketë zgjedhje dhe duhet dhënë shansin partive të tjera, të cilat i plotësojnë premtimet që i japin elektoratit, siç ka ndodhë me Aleancën”, potencoi nënkryetarja e Aleancës për Shqiptarët, Bujare Abazi.
Nga “Lëvizja Besa” thonë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do ta filtronin skenën politike, ndërsa tani sipas zëdhënësit Elmedin Memishi, barra kryesore bie mbi Kryeministrin i cili duhet seriozisht të fillojë me reformat në gjyqësor dhe të gjejë zgjidhje për Prokurorisë Speciale.
“Rikujtojmë deklaratat e ambasadorit të Francës, vendimet e Parlamentit gjerman dhe së fundmi edhe të Holandës se pa implementimin e reformave të duhura datë për negociata nuk do të ketë. Ne në këtë aspekt jemi skeptik si parti politike sepse rikujtojmë se gjysma e regjimit të kaluar tanimë është në qeverinë aktuale dhe se duhet të hetohet çdo zyrtar që ka keqpërdorur detyrën zyrtare ose ka bërë krim dhe korrupsion”, theksoi Elmedin Memishi zëdhënës i Lëvizjes Besa.
Kreu i ekzekutivit Zoran Zaev dje pasi kumtoi vendimin se vendi nuk do të shtojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, e arsyetoi këtë vendim duke thënë se do të ketë vetëm ri formatim të qeverisë, sepse sipas tij, një palë zgjedhje të reja mund ta rikthejnë nacionalizmin dhe radikalizmin në Maqedoninë e Veriut.
Përgatiti: Besir Arifi
