Reagime ndaj propozimit për provimin e jurisprudences, studentët: Zgjidhjet e pjesshme të papranueshme

TË FUNDIT

Pas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali se është arritur një zgjidhje për provimin e jurisprudencës, ku pjesa teorike do të mund të jepet në gjuhën shqipe me kërkesë të kandidatit, ndërsa pjesa praktike do të mbetet në maqedonisht pasi dokumentet gjyqësore janë vetëm në maqedonisht, ka ngjallur reagime të shumta. Studentët kundërshtojnë çdo zgjidhje të pjesshme që nuk përputhet plotësisht me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Ende pa parë një draft zyrtar, një gjë është e qartë. Çdo tentativë për të ofruar një zgjidhje të pjesshme, një “semi-zgjidhje” apo një rrugë anash Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është e papranueshme. Gjuha shqipe nuk është çështje negociate. Nuk është favor. Nuk është kompromis. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore. Prandaj, nuk ka nevojë për interpretime të reja, verifikime shtesë apo procese që vetëm sa shtyjnë zbatimin e asaj që tashmë është e garantuar me ligj. Zgjidhja nuk duhet shpikur. Ajo ekziston.Zbatoni ligjin. Pikë”, ka shkruar Mevlan Ademi.

Edhe nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani kritikoi zgjidhjen e paralajmëruan nga Sali duke e krahasuar me zgjidhje të ngjashme të vitit 1993, kur arsimi në gjuhën shqipe, sipas tij, ofrohej vetëm pjesërisht.

“Prandaj më duket e pabesueshme që, 33 vjet më vonë dhe 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, e njëjta logjikë po paraqitet si sukses. Edhe atëherë na ofrohej një zgjidhje e ngjashme: një pjesë në shqip, një pjesë në maqedonisht. Ishte koha kur dikush e konsideronte veten pronar të të drejtave tona dhe na i jepte ato me lugë të vogël, sipas masës që e gjykonte të përshtatshme”, u shpreh Bujar Osmani nga BDI.

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ende nuk e ka parë propozimin duke theksuar se kjo temë do të diskutohet javën e ardhshme.

“Le ta shohim propozimin. Unë ende nuk e kam parë. Mendoj që javën e ardhshme, të hënën është dakorduar mbledhje te unë në kabinet që të prezantohet propozimi”, deklaroi Hristijan Mickoski – kryeministër.

Kujtojmë se ekzekutivi paralajmëroi se zgjidhja fillimisht do të dërgohet në Komisionin e Venecias. Studentët shqiptarë kanë protestuar dy herë për këtë çështje, duke theksuar se nuk do të ndalen deri në realizimin e kësaj kërkese.