RDK BRAKTISI KOALICIONIN QEVERISËS, MEMEDI DORËZON MANDATIN E DEPUTETIT

TË FUNDIT

Rilindja Demokratike Kombëtare e braktisi koalicionin qeveritar.

Deputeti i vetëm i RDK-së, njëkohësisht edhe kryetari i kësaj partie, Vesel Memedi, deponoi dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit.

“Sot do të dorëzojmë dorëheqjet tona të parevokueshme nga të gjitha drejtoritë dhe këshillat drejtuese të alokuara. Kulmin i kësaj vlere sublime është tërheqja nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit si dhe dorëzimi i mandatit të deputetit në Kuvendin e Republikën së Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Vesel Memedi, kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Me miratimin e dorëheqjes së Memedid si deputet, në listë pas tij është emri i Arta Toçit nga “Aleanca për Shqiptarët”, e cila për TV21 tha se është e gatshme ta pranojë mandatin e deputetes.

Ndërkaq mollë e sherrit mes LSDM-së dhe RDK-së u bë propozimi i Kryeministrit për shkarkim të Suhejl Fazliut, Ministrit të Vetëqeverisjes Lokale ndaj të cilit sipas Memedit është kurdisur lojë.

“Në krye të kësaj valleje për çudi qëndronte bashkëpunëtori më i ngushtë i kryeministrit, një far Kiril Partallov, sekretar shtetëror në ministrinë e pushtetit lokal. Në fillim menduam se lojën e ka filluar pa dijen e Kryeministrit, por siç shihni edhe vetë ju këtë lojë e përfundoi kryeministri, ku pa asnjë konsultim me ministrin, direkt më thirri që në momentin e  fundit të bëj pazar me dorëzimin e ministrisë së pushtetit lokal LSDM-së”, deklaroi kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.

Këtë propozim Memedi thotë se e ka refuzuar, duke shtuar se s’bën pazare për një resor që gjithnjë u ka takuar shqiptarëve.

Ditë më parë, Kryeministri Zoran Zaev i tha TV21 se Fazliun e shkarkoi për shkak se nuk ka qenë i kënaqur me rezultatet në Vetëqeverisjen Lokale. Ia ka propozuar Ministrinë pa resor për përmirësimin e investimeve të kompanive vendore, por sipas Zaev, Memedi e ka refuzuar.

Për ministër të ri të pushtetit lokal Zaev ka propozuar Goran Milevski, deputet i shumicës parlamentare si dhe kryetar i Partisë Liberaldemokarate.

Përgatiti: Besir Arifi