Gjykata Shkupi 1, Shkup ka kumtuar dënimin për rastin “Sazdo”, rast në të cilin i vdekur mbeti nëntëmbëdhjetë vjeçari Nikolla Sazdoski. Të dy të akuzuarit, Besir Bela dhe Skender Demiri u dënuan me nga 19 vite burg. Përpos dënimit me burg, dy të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri janë dënuar edhe financiarisht. Në këtë rast Bela dhe Demiri familjes Sazdoski i detyrohen që në periudhë prej 3 muajsh t’i paguajnë 10 milionë e 34 mijë denarë.
Gjykatësja, Daniela Aleksoska- Stojanoska para kumtimit të dënimit tha se deri në marrjen e vendimit për dënim, gjykata ka kryer ekspertiza në vendin e ngjarjes po edhe i ka marrë në pyetje të akuzuarit.
Sipas trupit gjykues, dy të akuzuarit, Besir Bela dhe Skender Demiri, kanë pranuar se janë takuar me Nikolla Sazdoskin në vendin e ngjarjes para se ngjarja të ndodhë, ku sipas dëshmitarëve të akuzuarit i kanë kërkuar letërnjoftimin dhe pas identifikimit kanë filluar ta sulmojnë, tashmë të ndjerin, Nikolla Sazdovskin.
“Me veprimet e lartpërmendura, të akuzuarit Besir Bela dhe Skender Demiri, kryerës të veprës penale Vrasje, sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 1 në lidhje me nenin 22 nga Kodi Penal. Në përputhje me vendimet gjyqësore të cituara, dispozitat numër 4, 32, 35,34,35 të Kodit Penal, gjykata i dënon me dënim me burg me kohëzgjatje prej 19 vjetëve” kumtoi Gjykatësja Aleksoska.
Pas kumtimit të dënimit prokurori publik i caktuar për këtë rast, për siguri kërkoi që dy tashmë të dënuarit deri në marrjen e dënimit të mbeten në paraburgim. Këtë kërkesë e kundërshtoi, avokati mbrojtës, Asmir Alispahiç.
Gjatë sulmit, Besir Bela dhe B dhe Skender Demiri kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikike. këtë e thanë nga trupi gjykues pasi kanë kryer analizat psiqike të dy të dyshuarve.
Vëllau i Besir Belës, Besar Bela, tha se dënimi është i padrejtë dhe se vendimin e Gjykatës Shkupi 1 do ta ankimojnë tek Gjykata e Apelit.
“Ky është vendim i njëanshëm dhe ne nuk e pranojmë këtë vendim. Këtu nuk ka pasur vrasje mizore, gjykata ka gjykuar qysh ka desht vet dhe kjo ka prapavijë politike. Ne e pamë që me rastin e “Almirit”, çka ndodhi dhe çka po ndodh me këtë rast. Në Maqedoni ende nuk ka drejtësi për shqiptarët”, theksoi Besar Bela, vllau i Besir Belës.
Ndërkaq, babai i Nikolla Sazdovskit tha se dënimi është aq edhe sa e ka paraparë ligji. Ai shpreson se këtë dënim nuk do e ulë asnjë gjykatë në të cilën mund të ankimohet vendimi.
“Për fat të keq, në Maqedoni apo edhe në vendet tjera nuk e di, nuk ka dënim më të lartë për persona deri në 20 vjet. Megjithatë për ne si prind, për mua personalisht dënimi të ishte edhe njëmijvjet, gjegjësisht, nuk ka gjykatë në botë që do të mund të shqiptonte dënim real për këtë rast”, u shpreh babai i Nikolla Sazdovskit.
Edhe pse trupi gjykes ka kryer ekspertiza për rastin në fjalë, familjarët e të dënuarve gazetarëve u thanë se dyshojnë në ekspertizat e gjyqit pasiqë në trupat që kanë kryer ekspertizat, nuk ka qenë asnjë anëtar shqiptar. Për rastin “Sazdo”, ka edhe të dyshuar të tretë, i cili për momentin është i pakapshëm për autoritetet. Prokuroria Publike për vdekjen e Nikolla Sazdovskit të tre të akuzuarit i përndjek për veprën “Vrasje në kushte mizore”, vepër e cila para ri-kualifikimit të akuzuarit dyshoheshin për “dhunë”.
Përgatiti: Mevludin Imeri
