Me leximin e dëshmive të dy vajzave, sot vazhdoi gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan. Njëra nga të mbijetuarat, Ana Tomeva, në dëshminë e saj si dëshmitare e Prokurorisë, deklaroi se objekti punonte rregullisht pa kontroll të dokumentacionit dhe pa dalje të shënuara kundër zjarrit.
Në dëshminë e lexuar u tha se pronari Dejan Jovanov-Deko, dyshohet se kishte mbrojtje nga persona në polici dhe në shërbimet inspektuese.
“Është sekret publik se Dejan Jovanov Deko ka mbrojtje nga njerëz në polici dhe inspektorate”, thuhej në dëshminë e lexuar.
Tomeva dëshmoi se kishte punuar edhe në lokalin “Klasik” dhe në diskotekë pa qenë e regjistruar, ndërsa pagën e merrte në dorë. Sipas saj, kuponët fiskalë zëvendësoheshin me dokumentacion të paligjshëm që brenda lokalit e quanin “para të zeza”.
Ajo theksoi gjithashtu se punonjësit nuk kishin asnjë trajnim për mbrojtje nga zjarri dhe shpëtim, madje nuk dinin as ku ndodheshin aparatet kundër zjarrit.
Në dëshmi u tha edhe se gjatë kontrolleve të paralajmëruara inspektuese, një pjesë e punonjësve dhe të pranishmëve paraqiteshin si mysafirë për të fshehur gjendjen reale në lokal.
Një tjetër dëshmitare, Lina Krsteva, e cila shpesh kishte qenë mysafire në diskotekë, deklaroi se gjatë zjarrit nuk kishte persona që t’i orientonin ose ndihmonin të pranishmit.
“Pashë një polic që vetëm qëndronte dhe nuk na ndihmonte”, dëshmoi Krsteva.
Pas leximit të dëshmive, në sallën e gjyqit u prezantuan edhe prova materiale, përfshirë video-incizime nga zjarri me përmbajtje shqetësuese.
Ajo deklaroi se në natën kritike në diskotekë ishin përdorur mjete piroteknike gjatë performancës së grupit DNK.
“Zjarrin e vura re pasi një person tjetër bërtiti se ‘është ndezur’, pas çka shpërtheu paniku dhe turma u drejtua drejt daljes së vetme që e dija”, thuhej në dëshminë e saj.
Vajza përshkroi se në shkallë dhe te dera kryesore ishte krijuar një tollovi e madhe, pas çka ishte nxjerrë nga persona të tjerë dhe dërguar në spital për shkak të tymit të thithur dhe lëndimeve.
