Raporti vjetor i NATO-s: Rusia, kërcënimi më i madh për sigurinë

TË FUNDIT

Raporti vjetor i NATO-s e identifikon Rusinë si “kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin tonë në rajonin euroatlantik”, duke vlerësuar se Kremlini “ka vazhduar të testojë aleancën ushtarake perëndimore, duke u bërë gjithnjë e më i pakujdesshëm, përfshirë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimit dhe aktivitetit malinj kibernetik”.

Sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rutte, prezantoi raportin vjetor të NATO-s, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se Rusia ka të ngjarë të përqendrohet në shënjestrimin e infrastrukturës energjetike nëse Moska ndonjëherë sulmon NATO-n.

“Rusia mbetet kërcënimi më i madh dhe më i frikshëm për sigurinë në rajonin euroatlantik. Gjatë vitit të kaluar, Rusia është përpjekur të testojë sigurinë tonë dhe të sfidojë shoqëritë tona, qoftë përmes shkeljeve të hapësirës ajrore, sabotimeve dhe aktiviteteve dashakeqe kibernetike, apo përmes ndërhyrjes politike dhe kërcënimeve informative. Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të pamenduara, qoftë nga Rusia apo të tjerët, ka qenë e qartë, e shpejtë dhe vendimtare”, tha Rutte në një konferencë për shtyp.

Raporti vjetor shqyrton përfundimet kryesore dhe arritjet e NATO-s në vitin 2025 dhe thekson se “lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se energjia ka të ngjarë të jetë objektivi kryesor në çdo sulm të drejtuar ndaj NATO-s”.

Në dokument thuhet po ashtu se “NATO identifikon mësimet e nxjerra nga Ukraina, ndërkohë që intensifikon stërvitjet, trajnimet dhe koordinimin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike”, duke iu referuar një stërvitjeje ushtarake në shtator që testoi sigurinë energjetike të aleancës dhe çoi në “një kuptim të asaj që nevojitet për të garantuar sigurinë e furnizimit”./REL