Raporti për progresin e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së që u shqyrtua në Këshillin nacional për eurointegrimet përsëri i ndau pushtetin dhe opozitën edhe pse vërejtja kryesore ka të bëjë pikërisht me polarizimin e Kuvendit. Ambasadori Dejvid Gir përsëri u porositi partive që ta ndryshojnë sjelljen në Kuvend.
“Shumë vëmendje u është kushtuar këtyre observimeve duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që Kuvendi do ta luajë në procesin e aderimit. Por kjo është pjesë e dukurisë më të madhe në polarizimin në nivel më të gjerë, që kërkon përpjekje kolektive nga të gjithë aktorët politikë, që të korrigjohet.”- deklaroi Dejvid Gir, Euroambasador.
Por pushteti dhe opozita assesi të gjejnë mënyrë për ta tejkaluar sjelljen e deritanishme me polarizim dhe bllokadat në Kuvend. Edhe sot vazhduan me akuzat e ndërsjella.
“Sjellja e këtillë në Kuvend dhe thirrjet e këtilla ndaj opozitës, hajde prej sot të punojmë së bashku, janë hipokrizi për shkak se deri dje askush nuk punoi së bashku. Tani, këto parullat janë për shkak të pranisë së disa diplomatëve ndërsa prej nesër do të vazhdojë shprehia e njëjtë për interpretimin selektiv të Rregullores në Kuvend. Ndaj Rregullores po sillen si ndaj një produkti në market.”- deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
“Interpretimi kritikues, mendimi kritikues i opozitës është i rëndësishëm dhe kjo pritet. Por, gjithsesi, pa bllokada, pa filibasteringun që po përdoret, përkatësisht lirisht mund të them se po abuzohet, për shkak se kjo nuk është mënyra për të bërë ligje më të mira, e as për ta përmirësuar rolin tonë si organ mbikëqyrës.”- tha Snezhana Kaleska Vançeva, LSDM.
Komisioni evropian në raportin e fundit ka notuar nivel të mirë të gatishmërisë së vendit, por se duhen reforma të përshpejtuara dhe se për këtë duhet të shfrytëzohet procesi i skriningut. Maqedonia u vlerësua se është e gatshme mesatarisht kur bëhet fjalë për administratën publike, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit, por vërejtja më e madhe ka të bëjë me punën e Kuvendit.
