Tre javë me radhë po vazhdon tendenca e uljes së numrit të të infektuarve të rinj dhe të vdekurve, kurse është regjistruar edhe rritje e vogël e numrit të personave të shëruar, tregojnë të dhënat nga Raporti javor i Institutit për Shëndet Publik për periudhën nga 3 deri më 9 gusht të këtij viti.
Në këtë periudhë janë bërë gjithsej 9.543 teste dhe janë regjistruar 816 raste pozitive me Covid-19, që paraqet rënie për 10.5% në krahasim me javën paraprake.
Në periudhën raportuese, ka ulje të përqindjes së rasteve pozitive, edhe atë për 8.6% në krahasim me dy javët e fundit, kur 9,4%, apo 10% nga të testuarit kanë dalë pozitivë.
Raste të reja janë regjistruar në 26 qytete, ku më shumë të infektuar ka në Shkup (31.4%), në Shtip (11.3%) dhe në Gostivar (10.4%)
Në 16 qytete në vend, për periudhën e njëjtë, numri i rasteve të regjistruar është nën 20. Sa i takon strukturës së moshës së të infektuarve të rinj, edhe në këtë periudhë përqindjen më të lartë e përbëjnë personat mbi 60-vjet -25.9%, kurse një numër i madh i të prekurve është regjistruar edhe te personat në moshën mes 30 dhe 39-vjeçare, edhe atë 18.4%.
Në grupmoshën nga 40 deri në 49 vjet, janë 17.9% të infektuar të rinj, kurse në moshën nga 50 deri në 59 vjet – 17.2%. Numri më i ulët është regjistruar te fëmijët nga 0 deri në 9 vjet – 1.6%, kurse nga 10 deri në 19 vjet – 4.0%. Nga rastet që janë analizuar në mënyrë epidemiologjike, janë hospitalizuar 78 persona ose 13.6% e të infektuarve të rinj, kurse te 196 persona apo 34.3% është regjistruar prezenca e komorbiditetit.
Nga numri i përgjithshëm i rasteve që janë analizuar në këtë periudhë, 34.8% prej tyre kanë pasur kontakt me person që është pozitiv në Covid-19.
Në periudhën nga 3 deri më 9 gusht, janë regjistruar edhe 1.038 pacientë të shëruar, të cilët kanë qenë shtruar në spital apo në mjekim shtëpiak, që është rritje e vogël në krahasim me periudhën paraprake.
Në po të njëjtën periudhë janë regjistruar edhe 25 raste vdekjeje, që është ulje për 13.8% në krahasim me javën e kaluar, kur gjithashtu ka pasur ulje të numrit të të vdekurve.
Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për persona mbi moshën 60 vjeçare. Në kushte spitalore kanë ndërruar jetë 21 pacientë, kurse katër jashtë spitalit. Te 76.0% e rasteve janë konstatuar edhe komorbiditete (sëmundje të tjera)./TV21
