“Rapid Build” do ta ndërtojë gazsjellësin drejt Serbisë! Investim prej 29.4 milionë euro, pritet të përfundojë në vitin 2028

TË FUNDIT

Maqedonia e Veriut do të lidhet me rrjetin evropian të gazit përmes interkonektorit me Serbinë, me gjatësi prej rreth 70 kilometrash, prej të cilave 23 kilometra në territorin e vendit. Për ndërtimin e pjesës së Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur kompania Rapid Bild, me kontratë në vlerë prej 29.4 milionë euro. Interkonektori do të shtrihet nga Klesheci deri në kufirin me Serbinë, pranë Sopotit, dhe do të ketë diametër prej 500 milimetrash. I njëjti pritet të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2028.

“Bëhet fjalë për një kontratë sipas parimit me çelësa në dorë, në përputhje me modelin „filling“, e cila përfshinë planifikimin urban, projektimin, eksproprijimin, ndërtimin dhe sigurimin e lejes së përdorimit. Pjesa jonë e interkonektorit do të jetë me gjatësi prej 22.4 kilometrash dhe me diametër prej 500 milimetrash. Pika fillestare do të jetë pranë bllok-stacionit Kleshec, ndërsa pika përfundimtare do të jetë në kufirin me Serbinë, pranë fshatit Sopot”, tha Nedim Rama – Drejtor I SHA “NOMAGAS”.

Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, theksoi se me nënshkrimin e marrëveshjes, interkonektori i gazit me Serbinë hyn në fazën e realizimit konkret. Sipas saj, lidhja me Serbinë do ta hapë rrugën drejt tregjeve të gazit në Evropën Qendrore.

“Ky interkonektor është i lidhur ngushtë me punën që tashmë po e realizojmë drejt Greqisë. Interkonektori me Greqinë krijon lidhjen e re jugore dhe siguron qasjen në Gazsjellësin Trans-Adriatik, në terminalet për gaz natyror të lëngshëm dhe në burime të furnizimit. Lidhja me Serbinë vazhdon në këtë drejtim në veri, drejt tregjeve të Evropës Qendrore”, u shpreh Bozhinovska.

Kryeministri Mickoski njoftoi se interkonektori i gazit me Greqinë pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ku sipas tij, me përfundimin e interkonektorit me Serbinë në vitin 2028, Maqedonia e Veriut do të sigurojë një lidhje të plotë vertikale të gazit.

“Pas përmbylljes së projektit dhe kompletimit të interkonektorit apo gazsjellësit që do të na lidhë me Greqinë, pres që ky projekt të përfundojë në pjesën e parë të vitit tjetër, dhe nëse në vitin 2028 përfundon ky interkonektor me fqinjit tonë, do të fitojmë lidhje vertikale të plotë, që është pjesë e Korridorit 10, dhe pozicioni gjeostrategjik do të jetë shumë më i rëndësishëm, pasi këto projekte të realizohen krahasuar me ato që ishin në periudhën e kaluar”, tha Mickoski.

Gazsjellësi Maqedoni e Veriut–Serbi do të ketë kapacitet deri në 160 mijë metra kub gaz në orë, me rrjedhje në të dy drejtimet. Përmes interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë, Maqedonia synon të bëhet pikë tranziti për gazin drejt Hungarisë dhe Austrisë.