Rama, s'ka ndryshime në qeveri

TË FUNDIT

Kryeministri Rama u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve për politikën, ekonominë dhe problemet sociale
Kryeministri Edi Rama tha sot se nuk ka plan për ndryshime në kabinetin qeveritar. “Ky kabinet është produkt i kontratës me popullin. Marrëdhëniet me Metën janë më të mira se asnjëherë tjetër”, iu përgjigj Rama një pyetjeje të ardhur gjatë bashkëbisedimit me njerëzit në “Facebook” dhe “Twitter”.
Interesimit të një komentuesi mbi ndryshimin e ligjit që i lejon edhe shtetasit e huaj të jenë gjykatës, kreu i qeverisë iu përgjigj: “Reforma në Drejtësi do japë një përgjigje të plotë për të gjitha pikëpyetjet që koha ka ngritur mbi kufomën e drejtësisë”.

Kurse lidhur me gjendjen e spitaleve, ai u shpreh se “përmërsimet në spitale janë të mëdha, por sigurisht për të pasur spitalet që duam, na duhet ende shumë punë, më shumë para dhe kohë”.

Mes temave të prekura nga bashkëbiseduesit virtualë ishte edhe lufta kundër informalitetit. “Kjo është një betejë e jashtëzakonshme në mbrojtje të konsumatorit dhe biznesit të ndershëm që paguan taksa”, u shpreh Rama.
Lidhur me çmimin e naftës, sipas kryeqeveritarit, në vendin tonë ajo nuk është më e shtrenjtë se në shtetet e tjera, por “te ne ka brenda edhe taksën e qarkullimit”.

Sa i takon çështjes së shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani, Rama ripërsëriti: “Në Gjermani nuk merr dot azil politik asnjë shqiptar, ndërsa azil ekonomik nuk ka! Prandaj kush e merr atë rrugë vetëm humbet. Është fakt që dihet tanimë dhe nga autoritetet atje se shumica dërrmuese e shqiptarëve s’janë të ikur nga Shqipëria, por nga Greqia!”.