Rama: Shqipëria në piedestalin e respektit në Izrael! Vizita hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët

TË FUNDIT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në podcasting “Falsim” ka komentuar vizitën e tij në Izrael. Në Jeruzalem tha Rama, Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit, teksa theksoi se ajo vizitë shërbeu si një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët.

Këtë javë isha në Izrael i ftuar nderi në seancën plenare të Parlamentit të Izraelit, Knesset, një nder që bëhet rrallë dhe që mbart një peshë të jashtëzakonshme politike dhe historike, në këndvështrimin e ligjvënësve të atij vendi.

Në Jeruzalem, ishte Shqipëria që u vendos në piedestalin e respektit dhe përtej emocionit të madh personal, akoma edhe më i fortë ishte një emocion kombëtar, sepse ajo ftesë ishte një vlerësim i madh për Shqipërinë, për historinë e saj dhe për mënyrën se si gjyshërit tanë ditën të sillen kur historia vuri në provë njerëzimin dhe për natyrisht atë që Shqipëria është sot në arenën ndërkombëtare.

Fjala ime në Knesset ishte fjala e një populli në fakt, që nuk dorëzoi askënd dikur dhe që sot, nga zemra e Izraelit, mundi të flasë me qartësi për dinjitet njerëzor, për kujtesë paqeje dhe për përgjegjësi në një botë të trazuar, ku feja duhet të jetë melhem dhe jo helm mes popujve dhe në gjirin e popujve. 

Në Izrael, ne hodhëm edhe një hap konkret drejt së ardhmes me themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite, një instrument i ri bashkëpunimi që hap rrugë të reja për të ardhmen e përbashkët. 

Kjo vizitë në thellësine e vet kishte një përmbajtje të atillë që i shërben, jo vetëm arsyeve pse u bë, por i shërben edhe të nesërmes, si një gur themeli për të ecur së bashku si një rrugë, ku ka plot arsye të paktën për ne nga ana jonë që t’i referohemi Izraelit, si një vend me zhvillim të jashtëzakonshëm, si një vend me ekspertizë të jashtëzakonshme, si një vend me realitete të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë, në fushën e bujqësisë, në fushën e sigurisë padiskutim dhe për të gjitha këto arsye unë jam vërtet krenar për atë që u bë në javën që lamë pas”, tha Rama.