Pas pedagogëve, kreu i qeverisë premton rritje të pagave edhe për punonjësit e sistemit të shëndetësisë. Por ndërsa për pedagogët tha se do kenë rritje që nga viti i ardhshëm, për shëndetësinë në pritjen me rastin e festave të fundvitit tha se synimi është që brenda të këtij mandati pagat të rriten 100% në raport me atë që ishin në 2013 kur socialistët morën pushtetin.
“Jemi përpjekur që këtë respekt ta shprehim duke rritur cilësitë e kushteve në të cilat ju punoni, me aparatura dhe me mjete dhe nga ana tjetër për të rritur edhe shpërblimin tuaj. Pavarësisht se pagat janë rritur rreth 70% në raport me pikënisjen, nuk mjafton dhe duhet të bëjmë përsëri rritje të përmbushim objektivin që të paktën pagat t’i kemi rritur 100% nga pikënisja brenda këtij mandati dhe të jeni të sigurt që këtë do ta bëjmë me prioritet”.
Largimi i bluzave të bardha, drejt Europës nuk mund të frenohet, por Rama rihodhi idenë se Gjermania, si një prej vendeve që merr me shumë personel prej Shqipërisë do të duhet të na kompensojë.
“Shteti shqiptar shpenzon jo pak për formimin e mjekëve të rinj dhe shteti gjerman i merr gati. Në këtë pikë nuk ka shumë për të bërë se është lira e lëvizjes, po ne do përpiqemi të gjejmë një mënyrë që të kompensohemi për këtë të mirë që i japim shoqërisë gjermane”.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se tashmë ka ardhur koha që të nisë zbatimi i autonomisë spitalore, veçanërisht në ato struktura që tashmë kanë siguruar certifikatën e cilësisë duke u akredituar me pikët maksimale.
“Është një bazë e mirë për të vazhduar autonominë spitalore dhe të mos bëhet më një vlerësim uniform i mjekëve, por sipas performancës, që do të thotë nëse për të gjithë ka një dyshim, shpërblimet sipas punës vlerësohen në bazë të kritereve dhe performancës. Ata që bëjnë më shumë vizita, orë në shërbim, do paguhen më shumë se të tjerët”.
Puna e mirë në drejtim të pacientëve bëri që disa prej shërbimeve spitalore në të gjithë vendin të marrin edhe certifikata mirënjohje.
