Rama pyet shqiptarët: A duhet legalizuar kanabisi?

TË FUNDIT

“A duhet të lejohet kultivimi i kanabisit mjekësor në Shqipëri?”, kjo është pyetja që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u drejton këtë të diel shtetasve shqiptarë, në kuadër të nismës së ekzekutivit për këshillimin Kombëtar me qytetarët.

Rama ka ftuar të gjithë qytetarët që të japin opinionin e tyre pa u ndikua, ndërsa shton se ka ardhur koha të lihen pas krahëve llogoret përçarëse.

“Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike” shkruan Rama.

Pyetësori i këshillimi kombëtar të qeverisë me qytetarët, nismë e njoftuar nga kryeministri Rama disa javë më parë, përfshin 12 pyetje, disa prej te cilave për tema të ndjeshme që diskutohen në opinionin publik.

Në këtë anketë, që gjithsesi nuk është detyruese, shqiptarët përballen me tema të ndryshme. Ajo që vihet re është se para se i anketuari të zgjedhë njërën nga 3 fushat e përgjigjes, anketuesi (në këtë rast qeveria) i tregon opsionin apo qëndrimin e saj për temën.