Ditën e sotme ka nisur punimet samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Në këtë tryezë bisedimesh, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcolli mesazhin e rëndësisë së bashkëpunimit mes liderëve të rajonit, në mënyrë që të garantohet stabiliteti në rajon.
Rama tha se Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Evropa. Po ashtu në fjalën e tij në Samitin e Vjenës, kryeministri Rama ka kërkuar që të hapen negociatat me BE, për të treguar të gjithëve se Shqipëria ndodhet në Evropë. Duke u ndalur te bashkëpunimi me Serbinë, kryeministri Rama tha se takimet me Vuçiq janë kthyer tashmë në rutinë dhe ajo që pritet është së çfarë do arrihet nga këto takime.
Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është ndalur në marrëdhëniet mes vendit që ai drejton dhe Shqipërisë, duke i cilësuar ato të qeta, dhe për këtë ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërsa komisioneri Han nga ana e tij është shprehur se që të gjithë në radhë të parë jemi evropianë dhe kur i referohemi BE nuk është vetëm çështje ekonomike, por angazhim për një mënyrë jetese. Sipas tij nuk është e rëndësishme nëse je apo jo pjesë e BE, por të arrish në nivelin e duhur me standardet e BE./
