Rama i mërzitur që largohet Merkeli, e fton të vijë sërish “të shpërblehet me detin dhe humorin ballkanik”

TË FUNDIT

Kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer fjalët më të mira për kancelaren gjermane Angela Merkel në paraqitjen para mediave që vijoi pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Për shkak se Merkel ka vizitën e saj të fundit si kancelare, Rama tha se largimi i saj do të lë një boshllëk të madh në Ballkan dhe Evropë.

E ftoi që sërish të vizitojë Shqipërinë që të shpërblehet me detin, diellin dhe humorin e Ballkanit Perëndimor, për siç tha Rama, sepse në këtë drejtim “jemi shumë përpara Bashkimit Evropian”.

“Sot është një moment ku të gjithë e dimë se çfarë kancelarja ka bërë dhe çfarë boshllëku do të lë. Shpresoj se ky boshllëk do të mbushet sa më herët që mundet. patjetër se pa kancelaren Merkel Ballkani nuk do të ishte njësoj siç është sot, as Evropa nuk do të ishte siç është sot pavarësisht sfidave dhe probleme që mbeten të pazgjidhura. Dhe e fundit, kancelarja e cila në detyrat e saja ka pasur impenjime në gjithë globin, tani do të jetë më e lirë në një kohë më të afërt dhe shpresoj se do të ketë kohën dhe dëshirën që të rikthehet në Ballkan, të rikthehet në Shqipëri për të lexuar më nga afër realitetin tonë dhe në një farë mënyre për gjithë ato vite ngarkese pune për t’u shpërblyer me diellin, me detin edhe me humorin e Ballkanit, që të paktën në këtë fushë është shumë përpara Bashkimit Evropian”, tha Rama, transmeton TV21.