Rama fton investitorët Gjermanë të vijnë në Shqipëri

TË FUNDIT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka nisur sot një vizitë në Stuttgart të Gjermanisë.
Rama shoqërohet në këtë vizitë nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj.

Takimin e parë, Rama e pati me Kryeministrin e qeverisë së Baden Wurttemberg, Ëinfried Kretschmann, ku u diskutua mbi mundësitë dhe fushat e bashkëpunimit mes vendeve dhe u mbështet nevoja për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për vlerësimin e tyre.
Në takim u fol veçanërisht edhe për fushën e dijes dhe të arsimit profesional.

Sipas Ramës, ajo çka Shqipëria mund të përfitojë nga Gjermania është sidomos ekspertiza e nivelit të lartë, me qëllim që të hapim vende pune, që të rinjtë tanë të mos ikin jashtë vendit.

Në fjalën e tij të mikpritjes, edhe Kretschmann i shprehu Ramës konsideratën për ndërmarrjen e një kursi të vështirë reformash, por të rëndësishme për vendin dhe perspektivën evropiane të tij.
“Që kur keni marrë detyrën, i nderuar z.Kryeministër, ju keni çuar në mënyrë vendimtare përpara reformat. Këtu bëjnë pjesë reformat e administratës publike, e drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat në fushën e taksave, tatimeve dhe tregut të punës. Ne jemi të ndërgjegjshëm që rruga që keni marrë nuk është e thjeshtë, por jam i sigurt që durimi dhe të rezistuarit do të shpërblehen. Ne dëshirojmë që me të gjitha fuqitë tona t’ju mbështesim juve,” u shpreh Kretschmann.

Kryeministri Rama zhvilloi një bashkëbisedim edhe me investitorë të automobilistikës të landit të Baden Ëurttemberg-ut, në Mercedes-Benz Museum.
Rama bëri një panoramë të zhvillimeve në Shqipëri, reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, sikundër iniciativat në kuadrin ligjor për lehtësimin e klimës së bërjes biznes dhe investimeve.

Në takim u ftuan investitorët gjermanë që operojnë në këtë sektor për të eksploruar mundësitë e investimeve në Shqipëri, ku sistemi fiskal dhe kostot e punës janë përparësi.
Po ashtu u ofrua e gjithë përkrahja e qeverisë shqiptare për suksesin e investimit në Shqipëri.