Rama: Çështjet e identitetit nuk duhet të jenë pjesë e politikës ditore

TË FUNDIT

Kryeministri shqiptar Edi Rama sot në konferencën për shtyp në Bruksel ka deklaruar se çështjet identitare nuk duhet të jenë pjesë e politikës ditore dhe se Shqipëria është e gatshme “ta presë Maqedoninë e Veriut” që të mos ndahen dy shtetet në procesin e integrimit, njofton korrespondentja e MIA-s në Bruksel.

Edi Rama sot në Bruksel ka marrë pjesë në Këshillin e rregullt vjetor të stabilizim dhe asociim me Shqipërinë, ku pala evropiane ka konstatuar se Tirana ka bërë progres të ndjeshëm në të gjitha fushat dhe nga shtetet anëtare do të kërkojë mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe fillimin e negociatave për anëtarësim “sa më shpejtë të mundet”.

Kryeministri shqiptar nga ana tjetër, duke u përgjigjur në pyetjen mbi mundësinë të ndahen Shkupi dhe Tirana tani kur Maqedonia e Veriut është e bllokuar nga ana e Bullgarisë, e ka theksuar mbështetjen e saj për vendin dhe ka shfaqur shpresën se liderët në Shkup dhe Sofje “do të tregojnë maturi dhe do ta tejkalojnë kontestin”.

“Kur të materializohen hapat konkret, si konferenca e parë ndërqeveritare, nuk është në fakt te ne. Jetojmë në kohë të ndryshme. Nuk janë këto kohë më të mira për ne në rajon”, ka thënë Rama duke u përgjigjur në pyetjen për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para bashkëfolësve të tij, përfaqësuesit e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Zhosep Borell dhe eurokomisarit për zgjerim, Oliver Varheji.

Rama poashtu ka thënë se kur ka kuptuar se çështjet e identitetit janë iniciuar në procesin e negociatave për Maqedoninë e Veriut, “ai është tmerruar”.

“Ky është diskutimi më i keq i mundshëm kur nevojitet konsensus për arritjen e hapit të ardhshëm, pasi është e komplikuar, pasi është emocionuese dhe shpresoj se liderët e mençur të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë do ta zgjidhin këtë vetë dhe shpresoj se nuk do të presin ndonjë shkop magjik nga Berlini, Londra ose nga kudo, pasi nuk do të ndodhë. Duhet të gjejnë mënyrë vetvetiu të merren vesh”, ka porositur kryeministri shqiptar Rama nga Brukseli.

Ai ka shtuar se e kaluara duhet tu lihet akademikëve, shoqërisë qytetare dhe ekspertëve dhe se ajo nuk ka vend në politikën ditore dhe ka shprehur shpresën se nuk do të vjen deri te ndarja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në këtë moment të procesit, ose mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

“E kaluara është proces e cila mund ta mbajë peng Maqedoninë e Veriut, mos dhashë Zoti për ku ta di sa kohë, por nëse duhet t’ju presim dhe të jemi të durueshëm, do t’ju presim si fqinjë tanë dhe do të durojmë”, ka deklaruar Rama.

Takimi i rregullt për stabilizim dhe asociim me Maqedoninë e Veriut i cili duhej të mbahet në fund të shkurtit është anuluar, por sipas eurokomisarit Varheji ajo nuk ka asnjë lidhje me ndonjë presion nga Bullgaria.

“Këshilli për Shqipërinë duhej të mbahet në nëntor, ashtuqë ai është anuluar, tani kërkojmë datë, në këtë kohë të kovidit të pritshme janë shtyrjet e takimeve, nuk ka asgjë të tmerrshme lidhur me këtë, ashtu jetojmë në kohë të kovidit”, tha Varheji.

Duke u përqendruar në ndarjen e mundshme të eurointegrimeve të Shkupit dhe Tiranës, eurokomisari për zgjerim ka deklaruar se bëhet fjalë për proces të bazuar në merita dhe vendi që do t’i përmbush kushtet do ta fitojë konferencën e parë ndërqeveritare.

“Për Shqipërinë kushtet janë përmbushur dhe ne iniciojmë propozim deri te vendet anëtare të fillojë konferenca e parë ndërqeveritare sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka deklaruar Varheji.