I pyetur për kolonat e gjata në pompat e benzinave mbrëmë në Click Plus ministri i jashtëm, Bujar Osmani tha se rrëmujat u krijuan si pasojë e spekulimeve .
“Nuk janë në kuadër të kompetencave të mia, por nga prezenca ime në qeveri di që këto radhë kanë qenë të krijuara nga spekulimet”, tha Osmani.
Osmani gjithashtu tha se blerja e naftës nga Rusia është financim i ushtrisë ruse.
“-A financojmë me vetëdije apo pa vetëdije kur blejmë benzinë në Luk Oil?
-Unë mendoj që Federata Ruse kryesisht financohet nëpërmjet burimeve të energjisë. Të ardhurat dominante të Federatës Ruse janë nga gazi, nafta, burimet energjetike dhe sigurisht se blerja e tyre financon ushtrinë ruse aty nuk ka dilemë”, shtoi më tej Osmani.
Për këtë deklaratë të ministrit Osmani reagoi Arijanit Hoxha nga Lëvizja Besa, i cili në profilin e tij në Facebook publikoi kontratën e ministrisë që Osmani udhëheqë në të cilën sipas tij shihet marrëveshja për furnizim me karburante nga kompania ruse Luk Oil.
“Ministria me të cilën udhëheq Bujar Osmani ka kontratë për furnizim me karburante pikërisht me kompaninë ruse “Luk Oil”, prandaj e pyes a i qëndron asaj që thotë se blerja e karburanteve nga kompani ruse e ndihmon luftën e Rusisë kundër Ukrainës, që rrjedhimisht nga kontrata që ka nënshkruar a i bie se Ministria e Punëve të Jashtme ndihmon Rusinë!?”, reagoi Hoxha.
Për këtë marrëveshje, nga Ministria e Jashtme thonë se është e skaduar.
!Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrëveshje aktuale për prokurimin e derivateve të naftës me Luk Oil, por me një kompani vendase për tregtimin e derivateve të naftës.
Fotografitë që po paraqiten në publik i referohen marrëveshjes së vjetër, që ka skaduar verën e kaluar”, thanë nga MPJ-ja.
Megjithëse ministri Osmani tha se po mendohet për riorientim të burimeve të energjisë, në pyetjen e TV21 nëse po planifikohet furnizim me naftë dhe derivate të naftës nga shtete tjera, Qeveria e Republikës së Maqedonisë nuk dha përgjigjën.
