Kemi obligim që të ruajmë betimet nga e kaluara jonë për shkak të ardhmërisë së përbashkët europiane. Kështu presidenti bullgar ka shkruar në urimin e dërguar deri te presidentja Gordana Siljanovska Davkova, për festën e madhe maqedonase Ilinden. Në urimin ai thekson se 2 gushti është pjesë e historisë së përbashkët dhe se, siç theksoi, Kryengritja e Ilindenit çdoherë i ka lidhur Bullgarinë dhe Maqedoninë.
“Idealet e larta të kryengritjes sot janë baza e vlerave të Europës së bashkuar. Historia e përbashkët europiane kërkon vullnet të patjetërsueshëm dhe qasje të sinqertë në zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, miqësi dhe bashkëpunim nga viti 2017 dhe obligimet e marra. Republika e Bullgarisë mbetet e vendosur që të punojë në vendosjen e raporteve të mira fqinjësore me RMV-në dh të sigurojë mbështetjen e nevojshme për plotësimin e kritereve të dakorduara për anëtarësim në BE”, tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.
Pikërisht rreth anëtarësimit të Maqedonisë në BE doli edhe presidentja Siljanovska në fjalimin e saj në Pelincë, ku theksoi se vendi ynë vazhdimisht po përballet me kushte joparimore. Institucionet janë të gatshme për reforma europiane, por presim nga partnerët tanë europian dhe strategjik mirëkuptim dhe zhbllokim të drejtë të procesit të negociatave, porositi Siljanovska.
“Rruga jonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE ende po përballet me kushte joparimore që vazhdimisht ndryshojnë. Por e dimë se mes vendeve anëtare ende kemi shumë miq që vazhdimisht angazhohen për ne dhe e zgjojnë ndërgjegjen europiane për rastin me integrimin tonë maratonik. Ne duhet tu ndihmojmë me atë që nuk do të largohemi nga rruga europiane. Kjo është edhe rruga jonë”, tha Gordana Siljanovska, presidente e RMV-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në “Meçkin Kamen” foli edhe për kërkesat e Bullgarisë dhe proceset e ngecura eurointegruese, për të cilat tha se do të insistojë në zgjidhje dinjitoze. Është e pashmangshme të theksohet se ky proces po zgjat shumë, me shumë kërkesa që nuk janë gjithmonë të arsyeshme, por shumë më politike, theksoi Mickoski.
“Pavarësisht sa herë të më pyesin dhe në çfarëdo forme të parashtrohet pyetja e Bullgarisë, përgjigja do të jetë gjithmonë unike – ne jemi për një zgjidhje dinjitoze dhe duam një zgjidhje, por jo me koston e identitetit tonë dhe për shkelen e dinjitetit tonë. Në të njëjtën kohë, angazhimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian është i padiskutueshëm, si dhe angazhimi ynë për përmbushjen e kritereve”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Përndryshe, rreth votimit të ndryshimeve kushtetuese për të cilat insiston Bullgaria, koalicioni VLEN, që para formimit të Qeverisë, ka kërkuar që ato të miratohen brenda 6 muajve nga krijimi i Qeverisë së re.
