Të hënën në mbrëmje një person ka vdekur pasi derisa ishte duke drejtuar veturën, ka rënë në lumin “Ibër” në rrugën Leposaviq-Mitrovicë.
“Në rrugën nacionale Leposaviq-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilën është përfshirë një veturë, e cila derisa ishte në lëvizje (drejtuesi i panjohur) dyshohet për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë dhe kushteve atmosferike-mjegullës, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në lumin Ibër”,thuhet në raportin policor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit, në kërkim të drejtuesit dhe veturës të cilët gjatë natës nuk kanë arritur ta gjejnë.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se kërkimi ka vazhduar në orët e hershme të mëngjesit, ku është gjetur dhe nxjerrur automjeti së bashku me vozitësin i cili ishte pa shenja jete.
Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori kompetent për të vazhduar me procedurat e mëtejme./21Media
