Me 81 vota për dhe 19 kundër, deputetët në Kuvend votuan Ligjin për Kundërvajtje, me ç’rast dhanë dritë jeshile që sistemi “Safe City” të hyjë në fuqi nga 1 shkurti. Mbështetje ligjit i dhanë deputetët e shumicës parlamentare, deputetët e partisë E Majta, në mesin e tyre edhe deputeti i partisë turke Bejxhan Iliaz dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. Kundër votuan deputetët e Frontit Evropian, deputetët e LSDM-së, deputetët e ASH-së së Ziadin Selës dhe deputetët e ASH-së së Arben Taravarit. Koordinatorja e grupit parlamentar të Frontit Evropian, Rina Ajdari, njoftoi se deputetët e këtij fronti nuk do ta mbështesin Ligjin për Kundërvajtje për shkak të mangësive në implementim dhe mungesës së garancive. Sipas saj, vërejtjet lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe, zbatimin vetëm në tre qytete dhe mos harmonizimin e sinjalistikës nuk do të përfshihen në ligj.
“Ne si grup parlamentar morëm vendim duke parë edhe presionin e qytetarëve, duke parë se ligji është antikushtetues, me vetë faktin se implementohet vetëm në një pjesë të RMV-së dhe duke marrë parasysh të gjitha vërejtjet që i paraqitëm në konferencë për shtyp. Morëm vendim që të mos e mbështesim Ligjin për Kundërvajtje, me të cilin do të finalizohet i ashtuquajturi projekti “Safe City”, sepse lë shumë për të dëshiruar dhe të gjitha ato garanci që praktikisht i morëm nga koordinatori i VMRO-DPMNE-së dhe përfaqësuesit e MPB-së nuk do të implementohen në ligj. Situata ishte e mjegullt dhe, si rezultat i kësaj, vendosëm të mos e mbështesim”, tha Rina Ajdari, BDI.
Edhe deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, u shpreh kundër mbështetjes së këtij ligji, pasi sipas tij, ligji ka shumë hapësirë për keqpërdorime.
“Ne do të votojmë kundër, sepse gabimisht paraqitet në opinion se është ligj për “Safe City”. Nuk është për “Safe City”, por është për dënimet që do t’i nxisë “Safe City”. Në lidhje me këtë çështje dua të them se dy gjëra janë kryesore, për të cilat kemi dëshmuar në opinion. Gjithçka që do të merret si e dhënë nga kamerat e sigurisë është e paqartë në opinion se si do të ruhen dhe si mund të keqpërdoren”, theksoi Oliver Spasovski, LSDM.
Edhe për deputeten Ilire Dauti, ligji nuk është i drejtë për të gjithë dhe është në kundërshtim me nenin 9 të Kushtetutës.
“Keni përgjegjësi shumë të madhe para vetes, sepse sot rrezikoni që nëpërmjet votimit të ligjeve që përfshijnë vetëm tre qytete dhe jo të gjithë territorin e vendit, drejtpërdrejt të bëheni krah i Qeverisë në shkeljen e Kushtetutës së RMV-së sa i përket nenit 9. Askush nuk është kundër sigurisë së qytetarëve, duke filluar nga siguria në komunikacion dhe çdo lloj tjetër sigurie, por jemi absolutisht kundër që të bëhet ndarje pikërisht në këtë segment të ndjeshëm siç është siguria, duke lënë të pasigurta edhe qytetet e tjera”, theksoi Ilire Dauti, ASH-Sela.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit vlerësuan se zbatimi aktual i këtij projekti ngre shqetësime serioze juridike, sociale dhe kushtetuese.
“Ne edhe publikisht kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi për sigurinë e qytetarëve, por nuk jemi që ky ligj të kalojë në këtë format, për shkak se nuk është gjithëpërfshirës dhe nuk është në sinkronizim me Kushtetutën e RMV-së, gjegjësisht me nenin 9 të Kushtetutës, pasi ky ligj planifikon të funksionojë në tre qytete dhe me këtë diskriminohen qytetarët”, theksoi Rijad Shaqiri ASH-Taravari.
Ligji për Kundërvajtje i cili do të hyj në fuqi nga 1 shkurti parashikon forcimin e sigurisë në komunikacion përmes vendosjes së një procedure të posaçme për kundërvajtjet e konstatuara me ndihmën e mjeteve teknike dhe pajisjeve për regjistrim. Sanksionimi i shpejtë dhe efikas i shkelësve, si dhe shqiptimi i masave ndëshkuese, pritet të ndikojë në parandalimin e përgjithshëm në fushën e sigurisë në komunikacion. Në fazën e parë, sistemi do të regjistrojë kundërvajtje si: tejkalim i shpejtësisë së lejuar, kalim në dritë të kuqe, skadim i vlefshmërisë së lejes së qarkullimit dhe parkim i parregullt. Në fazën e dytë parashihet zgjerimi i spektrit të kundërvajtjeve. Për momentin kamerat e Safe City janë në funksion vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanëvë dhe kooridorin 8 ndërkaq, mbrenda vitit pritet që të përfshihen në të gjithë teritorin e vendit.
