Qytetarët: Shitësit dalin për të siguruar bukën e gojës (Video)

TË FUNDIT

Përplasjet mes shitësve ambulantë në sheshin e Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, nuk kanë të ndalur. Ani pse Komuna e Prishtinës ka larguar disa herë shitësit nga sheshi, madje ka shqiptuar edhe gjoba për ta, ata vazhdojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre kudo nëpër shesh, bën te ditur KosovaPress. Këto veprimtari që konsiderohen të jenë ilegale nuk po i pengojnë qytetarët, pasi që, sipas tyre, shitësit dalin për të siguruar bukën e gojës.

Përkundër largimeve që u janë bërë, shitësit thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër për mbijetesë. E komuna e Prishtinës thotë se nuk do të lejojnë shitësit në shesh që të kryejnë punën e tyre, derisa ata po veprojnë në kundërshtim me ligjin.

Ismajl Shabani, shitës ambulant në sheshin e Prishtinës, tha se po i largojnë inspeksioni nga sheshi, mirëpo për të siguruar kafshatën e gojës po duhet të thyejnë ligjin dhe të kthehen në shesh prapë për të shitur produktet e tyre.

Sipas tij është mirë të zhvillosh veprimtarinë në shesh sepse aty ka më shumë fëmijë dhe kanë mundësi të shesin më shumë.

Ndërsa në komunën e Prishtinës, thonë për KosovaPress se inspeksioni do të kujdeset vazhdimisht që këta shitës të mos e vazhdojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë ilegale.

Zëdhënësja e komunës, Miranda Mullafazliu, tha për KosovaPress se ata gjithmonë ua kanë tërhequr vërejtjen shitësve, duke kërkuar që t’i lirojnë këto hapësira, por shitësit nuk i kanë përfillur, prandaj janë shqiptuar shumë gjoba për ta dhe janë konfiskuar mallrat nga inspektorati.

Edhe pse komuna thotë se qytetarët janë ankuar në komunë për shitësit ambulant në shesh. Qytetarët e Prishtinës të intervistuar nga KosovaPress po mendojnë ndryshe. Ata madje nuk e kanë fare problem pse këta njerëz punojnë në shesh. Përkundrazi këta punojnë për kafshatën e gojës dhe sipas tyre komuna nuk duhet t’i pengojnë fare.

Sipas Gashit, ky fenomen nuk është vetëm në Kosovë, shitës ambulant ka edhe në shtetet tjera të Evropës.

Ndërsa qytetari, Isa Abdullahu tha se nëse aq shumë i pengojnë organet kompetente, le të merren me ta duke iu siguruar punë që të mund të mbajnë familjet e tyre.

Kishte edhe shumë shitës të tjerë ambulant në mesin e sheshit, mirëpo ata nuk guxonin të deklaroheshin, sepse thonë se janë gjobitur shumë herë nga ana e Komunës se Prishtinës dhe i gjithë fitimi që e kanë marrë u ka shkuar duke paguar gjobat e tyre. Madje njëri nga ta, tha se nuk guxon të deklarohet sepse e njohin mirë inspektorët dhe nuk kishte një javë që ishte fjalosur me ta dhe është gjobitur dy herë me nga 100 euro.