Qytetarët po marrin mesazhe të rrejshme/ Angellovski: Assesi mos shpërndani të dhënat personale dhe bankare

TË FUNDIT

Kërcënimet hibride tanimë janë bërë mënyrë moderne e veprave kriminale. Shumë qytetarëve në e-mailat e tyre u janë dërguar njoftime të rreme kinse janë të dyshuar për vepra të ndryshme penale të cilat në fakt nuk i kanë kryer. Shumica e veprave për të cilat akuzohen janë pornografi me fëmijë, sajberpornografi, pedofili e të ngjashme. Këto mesazhe dërgohen në emër të drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski, ndërsa në mesazhet e dërguara ai prezantohet si drejtor i brigadës për mbrojtje të fëmijëve. Zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski paralajmëron qytetarët që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve dhe të mos japin të dhënat e tyre personale dhe bankare.

“Ky është një mashtrim që po ndodhë jo vetëm në vendin tonë por edhe te fqinjët dhe shtetet tjera të Evropës. Dërgohen mesazhe të rreme kinse qytetari ka kryer vepra penale pedofili dhe vepra tjera penale, vepra të shpikura penale do ta përsëris të cilat nuk janë kryer dhe kërkohet nga personi që I është dërguar t’i jep të dhënat personale që më pas ato të keqpërdoren. Shfrytëzoj këtë rast që të apeloj deri te qytetarët. Assesi mos bini pre e këtyre mashtrimeve dhe në asnjë rast mos i jepni tjetërkujt të dhënat personale.”- tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Angellovski tregon se kanë njoftuar prokurorinë publike dhe në bashkëpunim me ta po punojnë në zbardhjen e këtij fenomeni.

“Keqpërdoret për shembull emri i ndonjë funksionari nga ministria dhe dërgohen mesazhe të tilla. Përshkak se bëhet fjalë për mashtrim që vjen nga jashtë, është njoftuar normalisht edhe prokuroria kompetente, është kërkuar ndihmë ndërkombëtare që të mund të zbardhet kjo vepër dhe të mund të sanksionohen kryerësit.”- tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Personat që fshihen prapa këtyre kërcënimeve, paralajmërojnë qytetarët që nëse nuk paraqiten në afat prej 72 orëve, do të japin urdhër për arrestimin e tyre dhe do të regjistrohen në regjistrin e dhunuesve seksual si dhe do të publikohen nëpër televizione të ndryshme.
Kërcënime të tilla kishte edhe në emër të Drejtorisë për të Ardhura Publike. Prej atje kërkohej verifikim i të dhënave personale si dhe të dhënave bankare. Angellovski njoftoi se ky mashtrim është vepër në vete dhe për të njejtën po punohet.