Uji në Maqedoni nuk e merr mbrojtjen e nevojshme dhe nuk shfrytëzohet në mënyrë racionale, kurse të gjithë qytetarët nuk kanë qasje deri te ujë i sigurt i pijshëm dhe kushte sanitare, tregoi hulumtimi i Institutit për Studime të Komunikimit. Ambasadorja britanike, Rejçel Gallovej, tha se që të mund ta kthejë besimin, Qeveria duhet t’u kushtojë vëmendje çështjeve të cilat më shumë i tangojnë qytetarët.
Mbështetje për fushatën “Kthjellu” jep edhe TV21 ku do të përpunojë tema për menaxhim të qëndrueshëm me ujin dhe inspektim më efikas kundër shfrytëzimit të tepërt të burimeve natyrore.
“Problemet ekologjike me të cilat përballet Maqedonia janë komplekse, të cilat kanë dimension gjyqësor, shoqëror dhe politik. Ballafaqimi me këto dimensione duhet ta përfshijë angazhimin, përgjegjësinë dhe kontributin e të gjithë aktorëve relevantë”, tha Rejçel Gallovej – Ambasadore e Britanisë së Madhe.
“Vetëm në këtë mënyrë, simbioza e qytetarëve, institucioneve, sektorit civil dhe mediave mund të sigurojë një sjellje të mirë, serioze dhe cilësore, me qëllim që të gjithë ne të jetojmë më mirë”, tha Zhaneta Trajkoska – drejtoreshë e Institutit për studime të komunikimit.
