Qytetarët e Shkupit “mbyten” në ajër të ndotur! LSDM fajëson Arsovskën, VMRO-ja Qeverinë

TË FUNDIT

Qytetarët e Shkupit tash e sa ditë vazhdojnë të thithin ajër të ndotur, përcjell TV21. Gati të gjitha stacionet e matjes në Shkup regjistrojnë shira të larta të grimcave PM dhe PM10.

Nga LSDM fajësojnë kryetaren e Qytetit të Shkupit për mosveprim, ndërkaq theksojnë se me shkurtimin e buxhetit për mjedisin jetësorë, gjendja në kryeqytet do të përkeqësohet.

“Kryetarja Danela Arsovska në vend që të rrisë paratë për mjedisin, i zvogëlon në tre herë më pak. Arsovska në fushatën e saj premtoi investime në mjedis dhe luftë kundër ndotjes së ajrit, por qytetarët shohin se nuk ka asgjë nga kjo. Me këtë qasje të Arsovskës, Shkupi për një kohë të gjatë do të jetë në krye të qyteteve më të ndotura në botë”, thonë nga LSDM.

Kanë reaguar edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, të cilët fajësojnë pushtetin qendror për mos-ndërtimin e sistemit të gazifikimit, projekt ky që sipas tyre do të ndikonte dukshëm në cilësinë e ajrit.

“Shkupi është në listën e qyteteve më të ndotura në botë sepse qeveria nuk ka bërë asgjë për gjysmë dekade për ta ndryshuar këtë. LSDM ka 5 vjet që është në pushtet dhe 5 vite nuk ka asnjë projekt që do të zvogëlonte ndotjen dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit në Shkup dhe qytete të tjera. LSDM kishte mundësi si pushtet qendror, por nuk bëri asgjë për të përfunduar gazifikimin. Aty ku u ndal projekti me qeverinë e VMRO-DPMNE-së, aty është tani. Nuk ka përparim”, thonë nga VMRO-DPMNE.