Qytetarët duan vaksina! Ky është i vetmi shpëtim nga pandemia me Covid-19

TË FUNDIT

Imunizimi kolektiv është ilaçi i vetëm që të mbrohemi nga pandemia me Kovid 19, andaj çdokush duhet të vaksinohet, mendojnë qytetarët. Pjesa e madhe e atyre që i anketoi TV21 thonë se do të vaksinoheshin me cilëndo vaksinë për shkak se, siç thonë ata, në këtë mënyrë do të ulet numri i të infektuarve të rinj dhe do t’i kthehemi jetës normale.

 “Kjo duhej të ndodhte edhe më herët, mirë është, shkon mirë. Është e rëndësishme se u vetëdijesuam. Kjo është e rëndësishme. Pa vaksinë nuk ka shpëtim ta dini këtë. Unë u vaksinova, me AstraZenekën”.

 “Unë nuk u vaksinova për shkak se kam antitrupa. Të kalojë kjo dhe do të vaksinohem. Të gjithë duhet të vaksinohemi , të gjithë. Do të vaksinohesha me cilëndo vaksinë, unë i besoj shkencës, asgjë tjetër”.

 “Sa duket do të duhet të vaksinohemi, nuk shoh zgjidhje tjetër, se kjo nuk kalon. Ja, nuk punojnë kafenetë, rrimë, pimë kafe në ulëse. Sa duket kjo do të jetë zgjidhja e vetme. Dikush më herët do ta kuptojë, dikush më vonë”.

Kishte edhe të tillë të cilët krahas dyshimit në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave, megjithatë do të vaksinohen.

 “Vaksinat janë parandalim, këto janë vaksina të reja, nuk e dimë se sa janë të testuara dhe të sigurta, megjithatë nuk ka mënyrë tjetër për t’u mbrojtur”.

 “Nuk e di se sa do të kalojë, se imunizimi zgjat vetëm 6 muaj. Është afatshkurt jo afatgjatë. Nuk jam e vaksinuar për shkak se nuk ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë që duan të vaksinohen. Nëse kam mundësi të zgjedh, do të vaksinohesha me Sputnik”.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe porositi se gjendja me epideminë po zbutet, masat dhanë rezultate.

“Përvoja na tregoi se sa shpejtë gjendja mund të destabilizohet nëse nuk respektohen masat. Para nesh janë festat, ditë të lira dhe moti i bukur. T’i shfrytëzojmë në mënyrë të përgjegjshme, të mos grupohemi dhe t’i mos i shkelim masat mbrojtëse. Ka shumë mënyra që të kalojmë kohë cilësore me familjen dhe më të afërmit dhe të mbetemi të mbrojtur nga virusi”, shkruan në Facebook, Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Filipçe kumtoi se javën që vijon arrijnë sasi të mëdha vaksinash dhe se do të rriten kapacitetet për vaksinim deri në maksimum. Para dy ditëve janë vaksinuar edhe deputetët si pjesë e imunizimit të grupeve të rrezikuara në vend. Përfaqësuesit qeveritarë do të vaksinohen pas Pashkëve kur do të arrijnë sasitë më të mëdha të vaksinave. Deri më tani në vend janë vaksinuar rreth 45 mijë qytetarë ndërsa rreth 193 mijë presin të thirren.