“Qytetarët duan paga më të mëdha, jo shtete”/Selmani: Asnjë ligj e as Kushtetutë nuk është shekullore

TË FUNDIT

Për qytetarët pa dallim etnie është më e rëndësishme të jetojnë në shtet ku ka paga të majme, standard jetësor më të mirë e drejtësi. Kështu u shpreh Imer Selmani, ish politikan dhe kandidat për kryetar shteti në intervistë për Radio Evropa e Lirë.  Ai thotë se ëndrrat për shtete të mëdha nuk ekzistojnë tek qytetarët e vetëdijshëm.

“Nevoja më e madhe thelbësore e qytetarëve është të ndihen të sigurt nga pikëpamja ligjore, të ndihen të barabartë që kur të paraqiten para administratës shtetërore me ndonjë kërkesë, për një çështje të vogël apo të madhe, të trajtohen njësoj si çdo qytetar tjetër, pavarësisht se cilës klasë shoqërore i përket, nëse është politikan, biznesmen apo punëtor i zakonshëm, apo kur paraqitet në gjykatë, në prokurori apo në polici. Mendoj se nevoja urgjente e qytetarëve sot është të ndjejnë se nuk janë të diskriminuar ligjërisht, kjo është gjëja e parë – siguria juridike. Gjëja e dytë është sigurisht standard jetësor më i mirë dhe më i lartë”, tha Imer Selmani.

E pikërisht kjo barazi mes qytetarëve sipas tij sjell nevojën për ndryshime ligjore e madje sipas Selmanit edhe të Kushtetutës sepse gjithmonë ekziston evoluimi.

“As kushtetuta e asnjë vendi nuk është e përjetshme, as ligjet nuk janë të përjetshme, kështu që gjithmonë do të ketë synim për përparim më të mirë, për më shumë të drejta. Edhe maqedonasit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë të drejta dhe shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë gjithmonë më shumë të drejta. Megjithatë, kur jetojmë në një komunitet është njësoj si të jetosh në shtëpi me fëmijë dhe një grua dhe gjithmonë do të përfundoni duke kërkuar kompromis. Kështu që tani pas 22 vitesh kemi situatë ku një pjesë e mirë e shoqërisë është e kënaqur, por kemi edhe njerëz të pakënaqur, qofshin ata individë, një përqindje më e madhe apo më e vogël, qofshin politikanë, është çështje që ende do të evoluojë”, theksoi  Imer Selmani.

Sipas Selmanit është fati jonë që jetojmë në një shtet multietnik në të cilin ndonjëherë ndihemi më komod e ndonjëherë jo, megjithatë thekson se qytetarët e vendit dinë të vlerësojnë atë që është e mirë pa u bazuar në etni.