Qosja: Emri i Kadaresë, i pavdekshëm

TË FUNDIT

Akademiku Rexhep Qosja i ka shprehur ngushëllime familjes së Kadaresë, duke thënë se kohë pas kohe mes vete kanë pasur gjykime e vlerësime polemike.

Qosja ka shkruar në Facebook se emri dhe jetëshkrimi i Kadaresë janë të gjithmonshëm dhe të pavdekshëm.

“Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë. Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ të botuar në Paris. Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi”, është shprehur ai.

Qosja ka potencuar se shpërngulja e Kadaresë në Paris në 1990-n ishte e frytshme e ato “ne do t’i shohim e përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”.