Përfaqësues të VLEN-it u fotografuan në Tiranë duke pirë kafe, pasi ditë më parë disa prej tyre thanë se janë përballur me ndalesë në kufirin e Qafë Thanës.
Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, për TV21 deklaroi se autoritetet kufitare fillimisht e kanë mbajtur në pritje, ndërsa më pas i kanë bërë të ditur se gjithçka ishte në rregull. Qoku e cilësoi situatën si të papranueshme, duke pretenduar se bëhet fjalë për një “linçim” ndaj një grupi të caktuar qytetarësh nga Maqedonia e Veriut, kryesisht aktivistëve dhe zyrtarëve të VLEN-it.
“Kjo që po ndodh me ne është e papranueshme, edhe sjellja e Qeverisë së Shqipërisë është e papranueshme, unë prandaj kërkoj përgjegjësi, kërkoj transparencë, kërkoj që të ketë një qëndrim zyrtar nga ministria e punëve të jashtme, nga ministria e punëve të brendshme atje për këto që po na ndodhin neve nëpër pikat kufitare me Shqipërinë.
-A mendoni se në të ardhmen do të keni ndalesa për të kaluar kufirin?
Uroj jo, shpresoj jo! Por nuk i dihet”, tha Bekim Qoku, deputet i VLEN-it.
Ndërsa deputeti Adnan Azizi tha se nongratat apo listat e zeza ishin të sajuara nga BDI.
“Në qoftë se jemi kundër, jemi kundër zullumit, kundër BDI-së po ju them këtu se ata po veprojnë si një organizatë parapolitike si një sekt spiunazhi që përpilojnë dosje dhe dezinformata dhe që ia servojnë shtetit shqiptarë ndoshta edhe nëpërmjet ambasadës këtu dhe që në fund shteti shqiptarë u kthjell dhe i ka të gjitha argumentet në dispozicion se këto janë vetëm sajesa, janë propagandë”, u shpreh Adnan Azizi, deputet i VLEN-it.
Nga ana tjetër BDI thekson se VLEN është pjesë e pushtetit tashmë më shumë se dy vjet dhe, sipas tyre, duhet të fokusohet në realizimin e premtimeve të dhëna, në vend që të kërkojë vazhdimisht fajtorë për dështimet.
“Kjo përgjigje është në vazhdën e narrativës së tyre se “për gjithëçka është fajtore BDI” duke harruar se ata janë në pushtet për mbi 2 vite dhe duhet të realizojnë premtimet e tyre e jo vazhdimisht për dështimet e tyre të gjejnë fajtor. Deri tani, na fajësonin për gjërat brenda territorit të shtetit kurse me këtë të fundit cc tonë edhe përtej territorit të shtetit. Ironike!”, thonë nga BDI.
Përndryshe para disa ditëve, autoritetet shqiptare njoftuan se nuk i kanë penguar tre zyrtarët e VLEN-it për t’u futur në Republikën e Shqipërisë, por pengesë ka qenë vetëm një person i katërt që ka qenë me ta dhe ka pasur pengesë ligjore për t’u futur në Shqipëri. Ky ka qenë sqarimi që dha Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit shqiptar, Skender Hita.
