Qindra turistë të bllokuar në Lindjen e Mesme! Shqiptarja nga Tel Avivi rrëfen për TV21 jetën nën alarmet e luftës

TË FUNDIT

 “Këtë nuk e incizoj por vetëm dëgjojeni! Kaloi? Sa është ora:2! Nuk e di se prej nga vijnë këto detonime!

Qindra turist kanë mbetur të bllokuar në vatrat e luftës së Lindjes së Mesme. Atje është edhe Evis Nure nga Shqipëria, e cila flet ekskluzivisht për TV21. Ajo mbetet akoma e ngujuar tani e një javë në një hotel në Tel Aviv të Izraelit.

 “Për momentin nuk kam informacion lidhur me shqiptarët e tjerë, kam kontaktuar Ambasadën tonë në Tel Aviv, por po gjej një mënyrë për të lëvizur pasi aeroportet janë të mbyllura. Sot kisha edhe biletën kthyese të fluturimit për të ikur nga Izraeli, po shoh mundësinë e rezervimit të një fluturimi tjetër për javën tjetër, ndërkohë po kërkoj një alternativë të lëvizi në rrugë tokësore”, tha Evis Nure, e bllokuar në Tel Avi.

Evis Nure tregon mënyrën e strehimit nëpër bunkerë në momentin e kundërsulmeve ajrore nga Irani drejt Izraelit.

 “Sot që po flasim kanë qenë vetëm dy sulme me datën 3 mars. Në ditën e parë ka qenë më e frikshme sepse alarm kishte çdo 10 minuta, por ajo që na bëri të ndihemi disi më mirë për gjendjen që ishim ka qenë strukturimi i këtij procesi. Na ka ardhur mesazh në telefon që na fton të futeshim në një zonë të sigurt strehimi, në çdo hotel apo kudo që të jesh personat përgjegjës të strehojnë pastaj të vjen një mesazh tjetër që të thotë se sulmi ka mbaruar dhe mund të dalësh nga streha”, deklaroi Evis Nure, e bllokuar në Tel Avi.

Ajo tregon se për momentin nuk kanë probleme me sigurimin e ushqimit dhe ju bënë thirrje familjarëve të të gjithë qytetarëve të ngujuar që mos të shqetësohen sepse po trajtohen njësoj si shtetasit izraelitë.

 “Ditën e parë ka qenë çdo gjë e mbyllur, dyqanet e çdo gjë tjetër përreth, përveç disa restoranteve nëpër hotele. Disa shitore ushqimore kanë qenë të hapura, kjo gjë nuk na ka bërë probleme për sigurimin e ushqimit”, tha Evis Nure, e bllokuar në Tel Avi.

Ministria e punëve të jashtme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se deri në mesditën e së martës, gjithsej 473 qytetarë të vendit tonë kanë kontaktuar përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dhabi. Nga këta, 19 persona kanë raportuar nga Izraeli, 106 nga Katari, ndërsa 348 qytetarë kanë kontaktuar Abu Dhabin. Ky numër përfshin edhe 18 persona nga Kuvajti, si dhe 12 persona nga Bahreini. Ministria e jashtme informon alternativat për evakuimin e sigurt të qytetarëve që ndodhen në Tel Aviv aktualisht janë duke u analizuar. Por evakuimi nga toka nuk rekomandohet për qytetarët që ndodhen në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se do të fillojë në rastin e parë të sigurt.