Qeveria reagon ndaj sulmeve të aktivistëve të VV (Video)

TË FUNDIT

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon fuqishëm aktet vandale të radhës të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, me veprimet e tyre të sotme, shkaktuan dëme të konsiderueshme në automjetet zyrtare dhe objektet e Qeverisë së Kosovës si dhe krijuan skena të pahijshme dhe shqetësim te qytetarët.

Qeveria e Kosovës i konsideron tërësisht të papranueshme aktet e përsëritura të dhunës të orkestruara nga ky subjekt, për të arritur synime politike, duke shkaktuar dëme materiale në pronat publike dhe private.

Këto akte, dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës dhe të taksapaguesve kosovarë dhe si të tilla janë krejtësisht të papranueshme në shtetin tonë të ndërtuar me aq mund dhe sakrificë nga populli i Kosovës.

Qeveria e Kosovës kërkon nga subjektet politike që të përmbahen nga përdorimi i rrugës dhe dhunës për arritjen e qëllimeve politike, dhe që me sjelljet e tyre, të mos tentojnë që të dëmtojnë proceset e fuqizimit të shtetësisë dhe rrugën integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të kryejnë obligimet e tyre ligjore për të garantuar një ambient të qetë dhe të sigurt dhe për mbrojtjen e pronës publike e private, duke ritheksuar përkushtimin e saj për të zhvilluar debat politik brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, për çdo çështje me rëndësi për vendin.


gomat

policia