Qeveria pret të dhënat për inflacionin! Masa të reja për çmimet, në varësi të statistikës

TË FUNDIT

Do të priten të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës për inflacionin e prillit, të cilat publikohen në gjysmën e parë të majit, dhe vetëm pas kësaj do të dalin me masa konkrete se çfarë do të ndërmerret për çmimet e ushqimeve. Ministri i ekonomisë Besir Durmishi thotë se inflacioni është në kuadër të normales dhe kemi një nga normat më të ulëta të inflacionit në rajon. Statistika ndërkohë ka matur se në mars inflacioni është 4,9 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar, ndërsa shpenzimet për ushqim janë më të larta për 7,5 për qind.

“Bazohemi në të dhënat zyrtare që i marrim nga Enti Shtetëror i Statistikës. Në muajin e kaluar pati rritje të inflacionit, por ai mbetet në kuadër të normales. Nëse krahasohemi me vendet e rajonit, ne kemi një nga normat më të ulëta të inflacionit. Në ditët në vijim presim të dhënat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikës. Sapo t’i marrim këto të dhëna, të cilat janë publike dhe të qasshme për të gjithë, do të dalim me masa konkrete bazuar në analizat e bëra”, tha Besar Durmishi.

Durmishi thotë se inspektorët janë në terren. Nëse ka sjellje devijante te tregtarët dhe rritje të madhe të çmimeve, do të shkohet me ulje të TVSH-së për ushqimet. Hapi i fundit do të jetë kufizimi i marzheve të fitimit në 5 për qind si te tregtarët me pakicë ashtu edhe me shumicë.

Kryeministri Mickoski dje tha se do të ketë masa të reja shtesë, por do të duhet të ndiqet me kujdes gjendja sepse me masat aktuale buxheti është i ekspozuar mjaft shumë.

Kontrolle të shtuara inspektuese në tregun e plehrave artificialë paralajmëroi edhe Inspektorati i Tregut. Do të kontrollohet nëse tregtarët i respektojnë masat e qeverisë me të cilat u kufizuan marzhet tregtare për t’u ndihmuar fermerëve për shkak të rritjes së çmimeve të plehrave.

“Si çmime më të larta të stokut në tregtinë me shumicë të plehrave inorganike përcaktohen çmimet që janë aplikuar në tregtinë me shumicë më 15 prill 2026, të ulura për 10 %. Kufizohet marzha më e lartë bruto e fitimit në tregtinë me shumicë dhe pakicë të plehrave inorganike deri në 5%; si dhe të plehrave organike, plehrave organo-minerale, biostimuluesve dhe përmirësuesve të vetive të tokës deri në 10 %”, tha Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Inspektorët do të kontrollojnë edhe nëse respektohet obligimi për furnizim të vazhdueshëm të tregut me plehra artificiale. Vendimet do të zbatohen deri në fund të majit.