“Qeveria po frikësohet nga Alternativa”/ Murtezani: Po planifikohet parandalimi i konsolidimit të opozitës shqiptare

TË FUNDIT

Alternativa merr postin e Gërkovskës! Ky ishte titulli që vërshoi portalet mbrëmë duke aluduar se Alternativa mund të bëhet sërish pjesë e Qeverisë. Për këtë shkak reagoi Orhan Murtezani nga kjo parti, i cili në rrjetin e tij social përgënjeshtroi këto lajme. Por cila është arsyeja që sipas Murtezanit këso lloj dezinformatash po plasohen në opinion?

“Aktorët kryesorë në qeveri kanë shumë arsye për t’u frikësuar. Njëra është sigurisht frika nga propozimi i Alternativës për të parandaluar vjetërsimin e veprave penale nga korrupsioni politik. Prandaj, një sërë zyrtarësh të BDI-së dhe LSDM-së po planifikojnë të parandalojnë potencialin për konsolidim të opozitës shqiptare. Megjithatë, asgjë nuk mund t’i ndalë proceset që janë të patjetërsueshme për ndërrimin e qeverisë.”- deklaroi Orhan Murtezani – Alternativa.

Murtezani shton se qytetarët janë të vendosur që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të ndodhin ato, kësaj qeverie t’ia dorëzojnë faturën për qeverisjen e papërgjegjshme, shpërdoruese dhe korruptive duke i vënë pikën mundësisë për rikthimin e tyre në Qeveri.

Se nuk ekziston mundësi për rikthim, por mundësi për bashkëpunim mes Alternativës, Lëvizjes Besa e Grupit të Zjarrit, që tashmë po funksionon si fraksion brenda BDI-së tha edhe vetë kryetari  i Alternativës, Afrim Gashi.

 “A po e thoni ma direkt? Alternativa e juaja dhe ju si kryetar e shihni bashkëpunimin me Besën dhe Grupin e zjarrit eventualisht nëse shkëputet prej BDI-së?

Unë po flas për dëshirën dhe veprimin politik të cilën ne e shohim si të suksesshëm dhe si mundet të arrijë deri të qëllimi për të cilin po flasim.

A ka kushte? A kushte për një arritje të tillë?

S’duhet të ketë kushte!

D.m.th. një bashkëpunim pa kushte mes juve tre partive?

Po!

 

Se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha forcat opozitare kohë më parë e pohoi edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

 “Tani më është e qartë, Lëvizja Besa është në opozitë dhe është e gatshme dhe do të bashkëpunojë me të gjitha forcat opozitare.”- tha Bilall Kasami.